Njeriut po i hoqe dinjitetin, i ke hequr gjithçka…

Nga Elona Caslli

Kemi një emër dhe një mbiemër për t’u dalluar nga njëri- tjetri, sikundër kemi edhe një dinjitet që na identifikon.

Në Mat, sot dikush ka vendosur t’i japë shoqërisë shqiptare një mesazh shumë të rëndësishëm; mesazhin që dinjiteti njerëzor duhet të jetë i paprekshëm.

Një nga pseudobamirësit, që hasen dendur në Shqipërinë tonë, ka vendosur t’i japë qytetarit nga Mati disa ndihma.

Pasi ia ka dhënë ndihmat, i ka kërkuar të bëjë foto me të, për të kryer procesin e pornos me varfërinë.

Qytetari nga Mati e ka refuzuar këtë pjesë, duke i lënë ndihmat jashtë shtëpisë së tij dhe duke ia mohuar të drejtën pseudobamirësit, që ta identifikonte varfërinë me fytyrën e tij.

Ky qëndrim nuk dëshmon gjë tjetër veçse qytetari dhe identitet.

Të ruash të paprekshëm dinjitetin tënd, do të thotë të ruash të paprekshme të drejtën për të thënë ‘ jo’.

Dinjiteti yt, të jep të drejtën të revoltohesh, të mos jetosh i gjunjëzuar, por të jetosh i ngritur në këmbë përballë një diktati të pështirë, që përmes mëshirës kërkon të të skllavërojë dhe jo të të ndihmojë.

Post Scriptum
Kush hesht dhe ul kokën, vdes çdo herë qe e kryen këtë veprim. Kush flet dhe ecën me kokën lart, vdes një herë të vetme.
(Giovanni Falcone
)

ObserverKult


Lexo edhe:

BUKOWSKI: ATA QË MENDOJNË QË DINË GJITHÇKA, JANË PIKËRISHT ATA QË S’DINË GJË