Nji mendim i përmbledhun për “Muranë Fjalësh”

muranë fjalësh

Për ata si unë, që i kanë ndjekë me vëmendje zhvillimet e nji kohe tjetër, emni i Majlindës, asht i lidhun me ilegalen e burgun politik, diçka që asaj kohe ka dashtë shumë guxim e karakter, e që nuk ka çmim që i blen.  Për ata që e njohin, ajo s’ka ndryshue e ka mbajtë veshun atë lëkurë që ka pasë, qysh atëherë. Po ky asht leximi i profilit politik të saj.

Nga Shinasi A. Rama

Libri që ka sjellë, ka shpalue nji anë tjetër të sajën, e që besoj se me kohën ka me e përcaktue edhe atë vetë. I menduem mirë e i mirë-strukturuem, me cikle poetike të lidhuna me nji bosht ideor dhe frymë që i dallon nga njëri tjetri dhe që i mban bashkë njikohësisht, libri asht i veçantë, në formë e në gjendje. Filli i përbashkët asht në frymë e në konsistencën e qëmtimit të vetvetes.

Titulli “Muranë Fjalësh” jep nji çelës që nuk duhet nënvlerësue. Çka thuhet me fjalë asht diçka që ka kenë jetë. Përpjekja e autores asht me e krijue e me rikrijue momentin e përmes analizimt të ndjesisë, me mbërritë tek kuptimi i vetvetes.

Siç ka thanë nji poet amerikan, Karl Sandburg, “poezia asht nji jehonë, që i lyp nji hijes me hedhë vallen e vet.” E në këtë rast, hija asht ajo që ka kenë, por tashma e përceptueme nga nji kandvështrim tjetër e shumë ma i sofistikuem i vetes. 

Në këtë drejtim, përmes nji qasjeje ekzistencialiste, autorja ia ka mbrritë me e analizue thellë vetveten e shpirtnoren në vetvete, duke ba atë që shpesh asht e pamundun për nji artist: me e pa qenien si objekt që duhet kuptue, analizue dhe trajtue, e shkëputun prej njeriut aktual. Pra, libri shkon shumë ma përtej evidentimit, apo përshkrimit të ndjenjave të momentit dhe të përshtypjeve. Libri asht nji përpjekje me i ikë përgjigjeve në pyetjen “ çfare ndjej” në shumë nga librat poetik të sotëm. Libri shkon dy shkallë ma poshtë e ma thellë, tek “pse kështu” e “çka don me thanë kjo”.  Kjo i jep këtij libri vlera shumë të veçanta, dhe e ban të qartë se nuk asht thjesht nji shkëndijë, por asht qëndrueshmëni  me e mbajtë vjershërimin në këtë nivel.

Ajo, përmes analizimit të vetvetes, shpesh edhe deri në dhimbje, organizon poezinë e saj. Këtu bien në sy disa elemente të tjera, që e thellojnë dallimin midis saj dhe poetëve të tjerë. Në nji anë, gjuha asht koncize, e preme, me fjalë të kërkueme dhe që i përshtatet gjendjes. Nga ana tjetër, gjendja asht thelbësisht e lidhun me ndijiimin. Dhe ndijimi asht i lidhun me anën ma të thellë njerëzore. Figuracioni asht i kujdesshëm, i matun dhe i skalitun. Çka përcjell artistiken dhe e mban estetiken nalt, asht kjo harmoni midis gjendjes, emocionales dhe analitikës. Kjo mbyllje krijon edhe përshtypjen se ka elemente hermetizmi, që nji lexues të pavëmendshëm që shfleton librin, mbetet paksa i përpëlitun. Prandaj, duhet shkue gjithmonë në pikën ku nis autorja, për me kuptue si duhet subjektin e poezisë. 

Në fund për ta mbyllë, do të kisha thanë se ky libër nuk asht shpërthim emocional, por nji përpjekje me ikë prej emocionales. Si ka thanë Thomas Stearns Eliot: “poezia e vërtetë asht nji ikje prej emocionales; nuk asht shprehje e personalitetit, por nji ikje prej personalitetit të njeriut. E natyrisht, vetëm ata që kanë personalitet dhe ndjejnë emocione e dinë se çka don me thanë me ikë prej këtyne gjanave.”

Jo më kot e nisa përshkrimin me profilin politik të autores. Në këtë libër nuk gjen as të burgosunën politike, as zyrtaren e nji jete publike, por nji njeri dhe dilemat e saj. Si ka thanë Salvatore Quasimodo, “nji libër asht i suksesshëm e ka me mbetë, kur lexuesi identifikohet me poezinë dhe nis me shikue në vetveten e vet me gjetë pikërisht ndjenja e mendime të ngjashme që i ngjallin nji kuptim të ri për veten dhe jetën”.

Ky libër e arrin pikërisht këtë gja dhe me shumë qetësi e finesë. Kjo ndoshta asht arsyeja pse ky libër e meriton vëmendjen e duhun, si dhe pse “Muranë fjalësh” ka me mbetë dhe me e gjetë vendin në letërsinë bashkëkohore shqipe. 

ObserverKult

Kliko edhe:

“MURANË FJALËSH”, NJË TRAJTË QË VJEN SI FIJE DRITE NË SYRIN E LEXUESIT


PROMOVIMI I LIBRIT TË MAJLINDË SINANI LULAJT “MURANË FJALËSH” (VIDEO)