Nonda Bulka: Sa kushton një njeri?!

nonda jeta e njeriut

Të mendosh pak, do të vësh re se vlefta e njeriut në “flori” ka zbritur në një mënyrë të jashtëzakonshme. Në kohët e vjetra shiteshin njerëzit sheshit dhe blerësit nuk mungonin. Sot një tregti të tillë e ndalon ligji.

Mirëpo, sikur legjislatorit t’i merrte perëndia mendtë dhe ta anulonte atë ligj ç’do të ngjiste vallë?

Asnjë ndryshim. Përfytyroni një njeri: mua për shembull. Kam pesë fëmijë, gruan dhe vjehrrën (meqë kam hyrë dhëndër brenda).

S’kam mjaft fitime dhe dua të nxjerr në pjacë vjehrrën e ta shes. Kush ma zë me dorë? Sikur të paguash edhe dy dollarë, s’ta merr njeri. Sikur të nxjerr në pazar gomarin, mund ta shes katër dollarë. Përfytyroni një shtet që ka shumë nëpunës, shumë tagrambledhës, shumë ministra ose shumë deputetë. Për të balancuar buxhetin vendos të shesë disa prej tyre.

S’ka shtet të huaj që të vërë kalem në shitjen origjinale. Si do t’i thuash tjetrit. – Sa e blen këtë deputet, sa paguan për këtë llogaritar, ose sa para jep për këtë protokollist?

Ai do të përgjigjet: – Do të të shes unë? Ashtu si në çdo gjë tjetër, kemi “sipërprodhim njerëzish”. Le të thonë sa të duan se “beqarllëku është një krim”.

Vetëm një luftë i lan hallet. Kur rriten në tre vjet e sipër dhjetë milionë kreatyra të njoma, doemos që vlefta ngrihet. Por luftë s’ka ngaherë. Çudi e madhe!

U mbushën plot 16 vjet që Evropa nuk i ka shpallur luftë Evropës.

Përse kjo moskujdesje? Ç’bën konferenca e çarmatimit? Cila është detyra e saj? Çdo gjë ka masë: 16 vjet pa luftë është një katastrofë paqësore… Prandaj ra edhe vlefta e kafshës fodulle, që quhet njeri.

 Janar 1934

ObserverKult


Lexo edhe:

NËM NJË LEK, ZOTNI!, TREGIMI “LYPËSI” NGA NONDA BULKA

Lypësi, tregim nga Nonda Bulka

Më ndjek nga dita sa herë vete në shtëpi:
– Nëm një lek, zotni!
Është një djalë i vogël, shtatëvjeçar, i zi pisë nga fytyra, i thatë, i shkurtër, pa rroba, pa këpucë; si rron, as unë nuk e di.
Sytë e tij janë pasqyrë e egër, e gjallë dhe e tmerrshme e fukarallëkut. Vuan nga uria, vuan nga të ftohtët, vuan nga çdo gjë. Por i ka mbetur aq fuqi, sa të thotë:
– Nëm pak bukë!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult