Nudo-ky univers i vetmjaftueshëm ekspresiv: Fahredin Spahija hap ekspozitë në Shkodër

“Mendo për mua”, titullohet ekspozita e mjeshtrit të fotografisë, Fahredin Spahija, që do të hapet në Galerinë ODA të Shkodrës.

Duke filluar nga ora 19:00, më 11 qershor, artdashësit do të kenë mundësi t’i shikojnë 40 fotografi të cilat janë përzgjedhje e tri cikleve: “Përtej”, “Pika, pika” dhe “Deformim”.
Të gjitha këto janë pjesë e projektit fotografik “Përtej realiteti”, të punuara 10 vitet e fundit që i përkasin fazës eksperimentale të autorit ku ai ngërthen fotografinë tradicionale me filtra real siç janë xhamat me struktura të ndryshme dhe pikat e ujit…



“Fotografia e Fahredin Spahisë për këtë ekspozitë të radhës asht trupore. Në qendër të saj rrin trupi njerëzor – përkatësisht ai femnor – portreti, detaji, nudoja dhe detaji i nudos. Duhet të themi qysh në fillim se interesi i autorit Fahredin Spahija ka qenë i prirun edhe kah dramatikja dhe paramorfoza e figurës me qëllimin e dukshëm për të plotësue nji seri funksionesh të shpalluna praktikisht prej tij në epistemën e kësaj fotografie që përban materialin kryesor të kësaj ekspozite.

Spahija edhe kësaj radhe ka mbajtë tonalitetet bardh e zi dhe na duket se fotografia e tij ma shum ka interes për vizatimin e formës se sa për shpërfaqjen e efekteve kromatike që ai ma se nji herë na duket se nuk i quen esenciale. Ithtar i teknikave klasike dhe i inventarit klasik të fotografisë, por edhe shartues i mirë i fotografisë me produktin ma të mirë të pikturës moderniste – përkatësisht ekspresioniste sidomos – vazhdon të na e tregojë pa ngurrim mahnitjen e tij para figurës femnore, para trupit të saj, para detajit si dhe para nudos të përceptueme si nji univers i vetmjaftueshëm ekspresiv, në të cilën kompletimi i së tanës e përmbyll frazën fotografike me pothuejse të gjithë elementët e saj të natyrës, pozimit, fokusimit dhe të interpretimit.


Në ekspozitën në fjalë janë varë rreth 40 fotografi të kryeme në harkun e nji kohë relativisht të shkurtë, por gjithsesi të kohëve të fundit dhe të gjitha na duken se janë shënue nga dëshira e re dhe inovative e autorit për të eksperimentue me fotografinë në planin e filtrave dhe të pengesave vizive si kushte për nji efekt organik që do t’i shërbejë fotografive të tij për të mbulue e zbulue njiherësh, fakt ky i rrallë në fotografi e që për mendimin tone në rastin e Spahisë ka shkaqe estetike dhe jo vetëm…”, shkruan ndër të tjera Primo Shllaku në parathanjen e katalogut të kësaj ekspozite.

ObserverKult