
“Pasojat” nga Rosalba Campra
Gjithë perandorët janë mizorë dhe, për pasojë, harraqër. Edhe ky, i tillë ishte. Shpesh harronte se aksh poshtërim apo aksh torturë e kishte praktikuar tek i njëjti person. Kësisoj, i trajtonte të gjithë, pa dallim: gratë, konkubinat, eunukët, kuzhinierët dhe ministrat.
Por, në qoftë se mizoria e një perandori është diçka që bën pjesë në rregullin normal të perandorive, ajo do të pasohet edhe nga rregulli tjetër normal: gjashtëmbëdhjetë nga gratë, konkubinat dhe shërbëtoret vendosën ta vrasin.
Për këtë, çdo veprim u planifikua me kujdes, prandaj për askënd prej bukurosheve nuk qe e papritur ora e asaj nate. Ato, tejet të kujdesshme, e rrethuan perandorin që pushonte i qetë në shtratin e vet. Detyrat qenë ndarë: Ti do ta zbavitësh me këngët e tua. Ti do t’i shërbesh çajin… Secila do ta kryej detyrën pa i bërë syri tërr, sidomos: ajo që do ta mbërthejë për krahësh, ajo që do t’i ngjesh jastëkun mbi fytyrë dhe ajo që do t’i kalojë për qafe litarin e trashë prej mëndafshi, me një nyjë që të rrëshqasë.
Sa keq që, midis të gjashtëmbëdhjetave, e ngarkuara për nyjën e litarit, nuk paskësh qenë e aftë për ta kryer punën me saktësinë, të cilën merret me mend se e ka jo vetëm një vrasës çfarëdo, por secila nga këto gra, duke qenë se, herët apo vonë do të përfundonin në litar. Asaj i doli një Nyjë-aventurë, nga ato që as nuk shtrëngohen e as nuk i zgjidh dot më.
Me gjithë përplasjet, shkelmat, çjerrjet, goditjet me thikë dhe frymëzëniet me jastëk, britmat e perandorit shpërthyen më të forta. Rojet, të cilët po vonoheshin enkas me shpresë te suksesi i kësaj ligësie me vlerë, nuk patën ç’bënin dhe ndërhynë.
Në gjithë atë përpjekje perandori humbi një sy dhe, duke mos qenë vetëm mizor por edhe fodull, nuk doli më përpara publikut.
Gruas që nuk diti të bënte nyjën e litarit i vuri një mjeshtër për ta stërvitur. Kështu ajo mësoi disa lloje Nyjash: Me-mashtrim-të thjeshtë, Me-përgatitje-bishtnuese, Me-dopio-dashuri, Me-besim-në-kohë. Të gjitha nyjat ishin me përdorim ornamental dhe ritual. Pasi kaloi edhe provimin e fundit, atë vetë e ngarkuan të bënte nyjat e litarëve, me të cilët varën në trarë pesëmbëdhjetë bashkëpunëtoret e saj. Kurse atë, pasi i zgjidhi nyjat, një për një, me duart e saj, e lanë të gjallë.
Disa thanë se një veprim i tillë tregon zemërbutësinë që fshihej te shpirti i zi i perandorit. Të tjerë thanë se ky qe si shpërblim, ngaqë ngathtësia e saj i shpëtoi jetën. Pati edhe nga ata, që, ndoshta më saktësisht, e vlerësuan si një shembull të veçantë të mizorisë së tij. Në të vërtetë, ku ka ndëshkim më të madh sesa pesha e fajit, sesa kujtimi vrastar për pesëmbëdhjetë shoqet e vdekura për shkak të mefshtësisë së saj.
Kalonin ditët dhe ajo, e ulur në strehën e fundit, shikonte murin matanë basenit me ujë. Nuk fliste me askënd.
Një mbrëmje, kur shkuan për ta marrë dhe për ta mbyllur në bodrum, si përherë në atë orë, nuk e gjetën. Perandori nuk e prishi terezinë dhe nuk urdhëroi ta kërkonin e ta nxirrnin nga fundi i basenit.
-Mirë ka bërë. Kjo është pasojë e natyrshme e rebelimit të saj, – tha ai dhe, duke qenë se dëshironte famën e poetit, improvizoi këto vargje, të cilat i konsideroi si më të përshtatshmet për rastin, midis atyre që i përgatisnin shkruesit e tij:
Vepër e mirë
është pendimi
dhe streha e mjerë
është përfitimi.
Kurtizanët festuan plot vetëdije.
Ajo, kur askush nuk po e vigjilonte, shkoi te muri që rrethonte kopshtin, hodhi një litar të përgatitur me Nyjën-e-kontrabandistit, u ngjit sipër, kaloi murin dhe ia mbathi te oborri i një mbreti tjetër, ku, me emër tjetër, kaloi shumë vite, duke jetuar mirë, me zanatin e ri që kishte mësuar.
Në shqip: Bajram Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:






