Nuk është e turpshme të mos dish, është e turpshme të mos mësosh!

batjar halili leximi

Të mësuarit dhe injoranca
Pse një person këmbëngul në injorancë?

Nga Batjar Halili

Aristoteli thoshte: “Çdo qenie njerëzore nga natyra dëshiron të dijë”. Kështu që dëshira për të njohur  është një impuls ekzistencial. Sidoqoftë, intensiteti i këtij impulsi është i ndryshëm te secili person. Ajo që dimë përcaktohet kryesisht nga kultura në të cilën jetojmë. Në kulturën shqiptare  paraardhësit tanë kanë patur një thënie shumë të mirë: “Nuk është e turpshme të mos dish, është e turpshme të mos mësosh”.  Sipas mendimit tim, kjo thënie nuk vlen më për ne, është e vjetëruar tashmë sepse, falë internetit dhe bartësve të tjerë të informacionit, ne nuk kemi më problem me të mësuarit të gjërave të reja.  Biles ekziston një bombardim i tillë i informacionit saqë vazhdimisht duhet të mësojmë diçka të re, edhe nëse nuk duam ta mësojmë.

Tani jeta është pothuajse e bazuar në të mësuar dhe kjo është bërë pjesë e jetës sonë shoqërore. Youtube tani është plot me (blogerë video) të cilët vazhdimisht përpiqen të na mësojnë diçka. Të mësuarit është bërë një pjesë e jetës sonë, njejtë si frymëmarrja dhe ne vazhdimisht po mësojmë diçka të re edhe nëse nuk e kuptojmë atë. Prandaj, nuk mendoj se do ta ekzagjeronim nëse thonim se të mësuarit është bërë një mënyrë jetese e pashmangshme për ne (ironikisht, edhe ju po mësoni diçka të re në këtë moment që po lexoni artikullin tim). Nëse të mësuarit sot nuk na qenka problemi, çfarë  përbën problem për neve sot?

Në fakt, ne po ballafaqohemi, jo  me një, por me dy probleme shumë të mëdha: korpusi i injorancës dhe këmbëngulja e injorancës.

Korpusi i injorancës,  injoranca e mësuar!

 Tani ekziston një korpus i injorancës. Mund të kemi lexuar shumë libra. Por ajo që ka rëndësi është se cilët libra lexojmë më shumë sesa numri i librave. Dikur kishte pak libra, por ato përmbanin informacion të saktë. Të paktën ata që i shkruan ato libra po kërkonin të vërtetën. Sot, ka shumë libra, miliona informacione në internet, siç edhe e thamë pak më sipër,  mirëpo ato mësime që marrim përmes formave të shpejta të shpërndarjes së informacioneve dhe dijeve është e dyshimtë pasi ne duhet të kuptojmë se cili prej tyre përmban informacion të saktë dhe të dobishëm? Problemi i sotëm nuk është aftësia për të gjetur informacion, por aftësia për të arrtur te informacioni i duhur.

Para ca kohësh një profesori universitar, në librin e tij të cilin e shfrytzonin studentët i kanë gjatur diku 1000 gabime drejtshkrimore. Mendoni vetëm për pak çfarë informacioni marrin ata studentë nga një tekst i tillë dhe çfarë dije do të trasmetojnë si profesionistë në të ardhmen ata që janë kultivuar me njohuri të tilla?!

Fatkeqësisht, sasia e informacionit të dëmshëm në libra, video dhe mjete të tjera të shpërndarjes së informacionit është jashtëzakonisht e lartë.

Atëherë pse ndodh kjo?

Në të kaluarën, librat shkruheshin për të përcjellur informacion, por sot ata mund të shkruhen për qëllime propagande ose reklamimi. Është fakt i pamohueshëm që në këtë fazë të fundit të kapitalizmit, blihet jo “puna” më e mirë, por “produkti” më i mirë reklamues.

 Falë kapitalizmit, librat janë promovuar nga “puna” në “produkt”. Kështu, ne mund t’i tregojmë produktet tona në mënyrë më efektive dhe t’i vendosim çmime më fitimprurëse. Nëse Tolstoi ose Dostojevski do të kishin jetuar në epokën tonë dhe do të kishin shkruar të njëjtat vepra tani, a do të ishin ende në gjendje të arrinin audienca të mëdha në këtë mjedis intensiv konkurrues pa ndonjë reklamë?

 Meqenëse kriteri më i rëndësishëm që përcjell punën ose informacionin në masat e mëdha të njerëzve është reklamimi, është e qartë se informacioni saktësia e të cilit pranohet nga të gjithë nuk mund të jetë informacioni më i saktë. Sepse kriteri këtu nuk është saktësia e informacionit, por bollëku i buxhetit të reklamave.

 Cikli i kërkesës dhe ofertës në treg bazohet natyrshëm në bërjen e lumtur të kërkuesit të informacionit, jo në informimin e saktë të tij. Kjo është arsyeja pse jo vetëm librat, por të gjitha mjetet e shpërndarjes së informacionit synojnë t’i bëjnë njerëzit të lumtur, jo t’i ndriçojnë ata. Tani pak po e shpoj “veten” me gjilpërë; Si profesor i psikologjisë diku në një shkollë më është dashur t’i bëj prindërit të lumtur sepse fëmijët i kishin sjellur në atë shkollë vetëm për t’i parë të shkelqyeshëm, jo që  t’ju jepin dije të merituara. Sepse  nëse nxënësi mëson diçka nga lënda e psikologjisë dhe nëse nuk është i lumtur, ai nuk është i kënaqur dhe nuk vjen më. Kjo është arsyeja pse tregu i arsimit, si transmetimi, interneti dhe mediat klasike, janë plot me mënura të edukimit që i pëlqejnë egos dhe i bëjnë njerëzit “të lumtur”, por shpesh jo shumë informues dhe të ditur. Shpesh askush nuk ka mundësi të mësojë vërtet diçka, sepse të mësuarit është një proces i dhimbshëm. Kur një person mëson diçka të re, neurone shtesë punojnë në trurin e tij. Një person që mëson informacion të ri mund të duhet të heqë dorë nga informacioni i vjetër duke e lidhur informacionin e vjetër me informacionin e ri dhe e rikonstrukton kujtesën e tij, por kjo është punë e lodhëshme dhe do përkushtim. Kjo ndonjëherë mund të kërkojë thyerjen e zakoneve. Kjo është e vështirë për shumicën prej nesh. Pra, për ironi të fatit, injoranca inkurajohet nga sistemi. Sepse dhënia e ”ilaçeve” që sigurojnë kënaqësi dhe lumturi është më fitimprurëse sesa dhënia e informacionit të vërtet.

Këmbëngulja në injorancë

 E vërteta dhemb më shumë se çdo thikë … Problemi i dytë i madh është se personi vazhdon në injorancën e tij edhe pse ai ka mësuar informacionin e duhur. Sepse është e vështirë për të që të lërë zakonet e tij të vjetra dhe të largohet nga zona e tij e rehatisë. Një person mund të mos e dijë. Sidoqoftë, nëse ai ende insiston në injorancë edhe pse ka mësuar atë që nuk e di, do të thotë se po bën një gabim të madh. Pra, ne mund ta ndryshojmë fjalën e urtë në fillim të artikullit si më poshtë: ‘Nuk është e turpshme të mos dish, është e turpshme të këmbëngulësh në injorancë …’

Ekzistojnë pesë gjendje të njohjes tek njeriu:

  1. Një person mund të dijë diçka.
  2. Një person mund të mos dijë diçka.
  3. Një person mund ta dijë se nuk di diçka.
  4. Një person mund të mos e dijë se nuk di diçka.
  5. Një person mund të mendojë se di diçka edhe pse nuk e di që nuk e di.

 Ne i përjetojmë të gjitha këto situata herë pas here. Një person i cili nuk e di se nuk di diçka, është në një gjendje pakujdesie. Ky person një ditë mund të kuptojë se nuk e di atë gjë. Në këtë rast, situata në të cilën një person që nuk e di se nuk di diçka dhe mëson atë gjë, quhet ‘habi’.

 Mahnitja është gjendja në të cilën një person i cili nuk e di se nuk e di, merr vesh për atë gjë. Për shkak se personi nuk ka njohuritë më të vogla për këtë temë, ai habitet kur e merr vesh. Sipas Platonit, harku (fillimi) i filozofimit është çudi (patos). Njohja është një nga virtytet më të rëndësishme që e bëjnë një qenie njerëzore. Të dish që nuk e di është një virtyt i madh.  Një person mund të mos e dijë se nuk e di. Sidoqoftë, nëse një person nuk e di, por gjithashtu spekulon për atë që nuk e di dhe kundërshton ata që dinë, ai është më injoranti.

Nëse personi nuk e di që nuk e di, dhe këmbëngul të mos mësojë edhe pse informacioni i vjen dhe kalon nga hunda e tij, të lashtët e quajnë atë gjendje  injoranti. – Dhe kjo është forma më e rrezikshme e injorancës. Ndërsa një person i zgjuar habitet kur mëson diçka që nuk e di, një person budalla zgjedh të jetë kokëfortë. Cili është, pra, efekti themelor i këmbënguljes në injorancë?

 Korpusi i injorancës është shumë i dobishëm për të këmbëngulur në injorancë. Sepse në këtë anë, ka shumë burime informacioni që mbështesin të dhënat e tyre, janë të qëndrueshme brenda vetes, por në të vërtetë nuk janë të sakta.

Leon Festinger, një psikolog social, e paraqiti teorinë e disonances (konjitive) njohëse në 1957. Sipas teorisë, kur truri i njeriut has në mendime kontradiktore, truri hyn në një proces bindës me punën e neuroneve shtesë. Natyrisht, gjatë aktit të të menduarit dhe krahasimit të informacionit, shumë neurone aktivizohen në tru, gjë që e shqetësojnë personin. Kjo është arsyeja pse njerëzit përpiqen të mos marrin informacione të reja dhe të jenë të qëndrueshëm në mendimet e tyre. Dëshira për të qenë i qëndrueshëm në mendime u përhap në të gjithë shoqërinë. Njerëzit që shfaqin sjellje të qëndrueshme natyrshëm vijnë tek ne si më të besueshëm. Por një shkencëtar ka nevojë për mospërputhje, jo për qëndrueshmëri. Sepse shkenca përparon përmes mospërputhjes. Në jetën e përditshme, gjërat nuk funksionojnë ashtu. Nëse hasim ndonjë ide të kundërt, mund ta mashtrojmë veten që të bëhemi koherentë dhe të ekuilibruar dhe ta hedhim poshtë idenë e re që hasim edhe pse është e vërtetë. Për  këtë arsye shumica e njerëzve zhvillojnë besime të pathyeshme. Sa më shumë që jetojmë një jetë me besim, aq më rehat do të jenë mendjet tona. Truri gjithmonë përpiqet të jetë i qëndrueshëm, por nga ana tjetër, mospërputhja është ajo që do të na bëjë të ecim përpara. Të përpiqesh të jesh i qëndrueshëm është diçka që mendjet krijuese nuk mund ta durojnë. Nga ana tjetër, shkencëtarët gjithmonë kanë kërkuar mospërputhje.

Në një kuptim individual, mospërputhja e shtyn personin jashtë zonës së rehatisë dhe e bënë të përparojë, të ndryshojë. Shumica e njerëzve nuk dëshirojnë të dalin nga kjo zonë komoditeti dhe u pëlqen të vazhdojnë të jetojnë pa dyshuar në bindjet e tyre. Është shumë e vështirë për njerëzit të ndryshojnë mendimet , veçanërisht në dimensionin e besimit. Pra, çfarë ndodh nëse një ditë ata hasin në një informacion që bie në kundërshtim me bindjet e tyre? Edhe këtu hyn në lojë efekti i të kundërtës. Efekti i të kundërtës  është një teori e psikologjisë sociale e propozuar nga Brendan Nyhan dhe Jason Reifler. Sipas kësaj, kur njerëzit hasin informacione që bien ndesh me bindjet e tyre, truri i tyre automatikisht e refuzon atë. Sa më real dhe shkatërrues për besimet e tij të jetë informacioni i ri, aq më shumë personi i përmbahet besimit të tij të vjetër. Sidoqoftë, personi që dëshiron të dijë në nivelin e mençurisë duhet të përpiqet të kuptojë, të mos besojë. Por shumë prej nesh ndiejmë nevojën për të mbrojtur idenë e mëparshme, më shumë e besojmë atë, sesa përpiqemi ta kuptojmë atë. Ne mund t’i mbyllim sytë drejt së vërtetës, në mënyrë që ato përpjekje të mos shkojnë dëm. Sidomos nëse është një ide që ne e mbrojmë me vite, reagimi ynë mbrojtës është po aq i fortë sa malet e pashkatërrueshme. Edhe nëse kjo nuk ka kuptim! Sepse për shumicën prej nesh, rehatia është më e mirë sesa njohjae të vërtetës. Kjo është arsyeja pse pak njerëz e ndryshojnë shoqërinë. Ata janë njerëz të guximshëm që mund të dalin nga zona e tyre e rehatisë. Për shkak të strukturës së tij, truri gjithmonë lëviz drejt gjërave të thjeshta. Prandaj, kur shumica prej nesh hasim në të dhëna që mbështesin ato që dimë të jenë të vërteta, truri tenton t’i memorizojë ato automatikisht, ndërsa kur përballet me të dhëna që nuk mbështesin ato që ne mendojmë se janë të vërteta, ka tendencë ta harrojë këtë informacion të ri.

Shumë shkencëtarë që e dinë këtë, udhëtimin e tyre e bëjnë me fletore. Sepse ata e dinë se nëse hasin në informacione që bien në kundërshtim me tezën që ata propozojnë në natyrë, truri do ta harrojë atë. Kështu që ata mbajnë shënime në mënyrë që të mos i harrojnë dhe i studiojnë këto të dhëna të kundërta.

Njeriu i mençur nuk i përmbahet asnjë ideje. Sepse ai e di që nesër mund të jetë më mirë. Sokrati tha: “Unë di vetëm një gjë, dhe kjo është se nuk di asgjë”. Të gjithë e kemi dëgjuar këtë thënie. Sidoqoftë, deklarata origjinale e Sokratit është si vijon: “Gjithë çka di është se nuk di asgjë, por dëshira ime është të vazhdoj kërkimet”. Nga pjesa e parë e fjalisë, ndoshta disa prej nesh mund t’i nënshtrohen supozimit se injoranca jonë është konfirmuar. Mbi të gjitha, pse duhet të përpiqemi të mësojmë diçka kur edhe Sokrati nuk di asgjë! Pjesa e dytë e fjalisë, nga ana tjetër, është një përgjigje ndaj atyre që mendojnë në këtë mënyrë. Ne mund të mos e dimë, por është detyra jonë të vazhdojmë kërkimin. Po e përfundoj me

Bertrand Russell i cili ka thënë: “Nuk kam mundësi të vdes për idetë e mia sepse mund të gaboj.”

ObserverKult