Nuk kisha më zemër t’më rrihte, nuk më kishte mbetur asgjë nga trupi…

Unë e dua atë.


Nga: Esmeralda Shpata

Qyteti im më nxori jashtë. Më tërhoqi zvarrë deri te stacioni i vjetër i trenave. U mblodhën shumë njerëz, i gjithë qyteti. Pleqtë çanin mes rrudhave të tyre për të parë se si më mbetej lëkura guriçkave, më mbulonte gjaku, më nxinin gungat nëpër trup. Fëmijët dilnin vullnetarë, më gjuanin me gurë, më kapnin për flokësh dhe fshinin me duar llumin e djersëve që u rrëshqiste mbi fytyrat e ndezura. Skërmiteshin me dhëmbët e bardhë kur qëllonte që çizmja mbi bark ishte e njërit prej prindërve të tyre. Një orgji e çmendur shqyente copat e mia me një mllef të patreguar ndonjëherë. E gjithë arsyeja e praptë e botës i kishte hyrë brenda ndëshkimit tim.
Nata sikur i bindi, u ngjasoi me vdekjen time dhe u kthyen nga erdhën, me duar e zemra të ngopura.
Vdekjes i isha dhimbsur dhe m’i kishte fashitur dhimbjet. Ajo dhe errësira e ftohtë më përmendën. Kisha rënë pa ndjenja mbi ujërat e mia të përziera me të vjella të holla.
Nata kishte rënë mbi mua dhe mbi binarët bosh. Qyteti ishte tërhequr në shtëpitë e tij të vogla, në ato të ngushtat, që të lënë pa frymë. Askush nuk u kujtua më për mua, as tri ditët e çudisë nuk m’i dhanë. Hoqën nga vetja mendimin për të kuptuar pse ndodhi kjo.
Jam kthyer në një kutërbim të rëndë dhe pres dritat që do të vijnë nga larg për të më çuar më larg.
Unë pres uturimën e trenit që do të vijë. Ka më shumë se shekuj, që atëherë kur hekurudhat lidhën botën anembanë, që kërkon të vijë.
Thonë se, po të rrish te stacioni nëpër agime, treni mund të kalojë ndonjëherë. Kalova ditë, muaj, vite, kohë, sa shumë kohë. Qytetin gati e harrova, e harrova të gjithë turmën që më dëboi. As turma nuk kishte kujtesë. Unë isha asgjësuar, isha fshirë. Fati kalon agimeve.
Një agim m’i solli dritat, sirenën ia ndjeva së largu dhe brofa. Nuk kisha më zemër t’më rrihte, nuk më kishte mbetur asgjë nga trupi. Shpirtin ia kisha shkulur me forcë, e kisha çliruar nga njerëzit dhe nga mishi, ai priste mbi ajër. Në atë stacion të vjetër sa bota u dëgjua, për herë të parë, një bori që mori me vete një shpirt. E shpëtova, e nxora jashtë kohe.

ObserverKult

Lexo edhe:

ALDA TAÇE SHPATA: AJO NUK ËSHTË MË…