Suzana Hoxha: Si më detyruan komunistët ta lë pianon dhe të vjeli pambuk?

suzana hoxha

Suzana Hoxha, mësuesja e Liceut, autore e botimit të parë të Solfezhit që përfundoi si punëtore në arat e pambukut në Savër të Lushnjes.

Pikërisht në atë kohë, kooperativistja e dalluar nga Lushnja “shoqja Lenka Çuko” erdhi në Tiranë në zyrat më të lartë të shtetit diktatorial për të drejtuar Shqipërinë. Ky ishte modeli komunist për zhvillimin e Shqipërisë

Nga Luljeta Progni

“… punoja në rrallim pambuku… punë që nuk e pata të vështirë ta mësoja sepse i kisha të shkathëta lëvizjet e gishtave prej pianos…”

është një fjali e shkëputur nga rrëfimi i një gruaje të moshuar, Suzana Hoxha, për një kohë të vështirë të jetës së saj. Koha kur ishte internuar në Savër të Lushnjes. Kishte qenë mësuese Solfezhi në Liceun e Tiranës dhe për shkak të persekutimit të familjes, bashkë me dy motrat, nënën dhe babain, u dëbuan me forcë për në fshatin e Lushnjes, atje ku ishin ngujuar familjet e “armiqve të popullit”.
Fiks në atë kohë, kur Suzana u detyrua me dhunë të jetojë në internim në Savër e të vilte pambuk po me detyrim, një vjelëse e dalluar e pambukut, shoqja Lenka Çuko, u transferua në Tiranë dhe u emërua udhëheqëse në nivelin më të lartë të shtetit diktatorial.

Janë dy fate paralele që e tregojnë ekzaktësisht historinë e Shqipërisë në shekullin që shkoi. Na tregon se pse Shqipëria është një vënd pa demokraci, ku koha e diktaturës ka lënë pasoja thuajse të pariparueshme, ku nuk ekziston liria e votës, ku elitat vijnë pikërisht si rezultat i vjedhjes së votës, na tregon pse në vendin tonë mungon tërësisht roli i intelektualëve në zhvillimin e shoqërisë. Do të tregojmë më poshtë udhëtimin e Suzanës nga Liceu drejt arave me pambuk dhe atë të shoqes Lenka nga arat me pambuk drejt zyrave më të larta të shtetit komunist, në Byronë politike dhe Komitetin Qendror.

Kur Suzana u dënua të jetojë në Savër të Lushnjes, e harroi përgjithmonë pianon dhe u përshtat me gjethet e pambukut. E motra, Handani, harroi fushat e tenisit, ku kishte ushtruar me pasion lojën elitare, si e para femër shqiptare në fushën e tenisit… më e vogla, Nermini harroi gjithashtu orët e bukura të mësimit në gjuhët e huaja për t’iu përshtatur gjithashtu pambukut, kanaleve me baltë në Savër të Lushnjes. Në një intervistë e realizuar në vitin 2013, Suzana dhe dy motrat e saj, rrëfejnë historinë e dhimbshme dhe 30 vitet e internimit në Savër të Lushnjes.

Internimi

Ishte fundi i vitit 1959, kur një kamion me ngjyrë ushtarake, u shfaq para shtëpisë së Ali Begesë në Tiranë. Në bodrumin e asaj shtëpie, jetonte prej disa vitesh familja e Vehip Hoxhës, bankierit të shquar të Tiranës. Vehip Hoxha kishte qenë drejtor i Bankës së Shtetit në Tiranë. I shkolluar në Stamboll dhe njohës i 4 gjuhëve të huaja. Njihej edhe si një ndër mësuesit më të dashur në Gjirokastër.

Suzana Hoxha dhe baraka e saj në internim në Saver

Policët u lëshuan nga kamioni me furi në derën e shtëpisë dhe nisën të nxjerrin me forcë që andej, Vehipin, të shoqen Ane dhe tri vajzat, Handan, Suzana dhe Nermin Hoxha. Makina u ngarkua me leckat që familjes i kishin mbetur, për shkak të konfiskimit të të gjitha pronave. Më pas u nis për një rrugë të gjatë me destinacion një fshat të Lushnjes. Ishte fshati Savër, vendi ku ishin mbledhur familjet e armiqve të pushtetit popullor, si i cilësoi diktatori të gjithë intelektualët e Shqipërisë.

Familja e Vehip Hoxhës po internohej për shumë arsye, e para se ishin ndër njerëzit më të pasur të Shqipërisë së asaj kohe, intelektuale gjtihashtu, por edhe për shkak se djali i Vehipit, Asafi ishte arratisur jashtë Shqipërisë. Arratia e Asafit do ta vështirësonte edhe më shumë jetën e Vehipit, bashkëshortes Ane dhe tri vajzave të tyre.

Vehip Hoxha kishte qenë drejtor bankë në Korçë, kur diktatori studionte në liceun francez të këtij qyteti. E kishte njohur diktatorin qysh kur ishte fëmijë sepse i kishte dhënë mësime të gjuhës. Edhe gjatë qëndrimit në Korçë e kishte mbështetiur pasi e kishte edhe njeri të fisit. Më pas, Vehip Hoxha ishte transferuar në Tiranë si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare.

Ishte një ndër familjet më të zhvilluara e më të pasura të kryeqytetit. Tri vajzat e Vehipit, merrnin privatisht mësime të gjuhëve të huaja, merrnin mësime private edhe në sport e muzikë. Handani ishte stërvitur qysh në fëmijëri në sportin e tenisit, mjaft i rrallë për kohën, madje sot pas 70 vitesh vazhdon të mbetet gjithashtu sport për një pjesë shumë të vogël të shoqërisë. Handani ishte e para femër shqiptare që e ushtroi këtë sport.

Suzana u diplomua në Lice në piano. Pas diplomimit nisi të punojë si profesore në Lice ku ia doli të realizojë librin e parë të mësimeve të solfezhit në Shqipëri. Ndërsa Nermini, më e vogla, kishte pasion gjuhët e huaja. E ka ushtruar gjithë jetën pasionin e saj për mësimdhënie në gjuhët e huaja, anglisht, frengjisht dhe rusisht. U jepte mësim falas, shumicën e kohës fshehurazi, fëmijëve kur ishte ende diktaturë. Pas rënies së diktaturës, kurset e gjuhëve të huaja u kthyen në burim të ardhurash. Familja Hoxha jetoi mes vështirësish në fshatin ku ishin internuar. Ndërkohë djali i familjes Asafi, kishte mbërritur në SHBA te daja i tij.

“ Daja dërgonte letra të koduara dhe ne e kuptonim. Për shembull, njoftimi për mbërritjen e Asafit ishte: “Drita lindi djalë, është i shëndoshë”. Bashkë me copat e letrave na vinin edhe të holla, çka bënë që të mos e vuanim internimin njësoj si të tjerët, por të jetonim relativisht mirë. Me ato që kemi dëgjuar më vonë apo edhe në atë kohë për kampet e Tepelenës apo të Porto Palermos, themi se me siguri do të kishim vdekur”, rrëfen Suzana.

Pas shtatë vitesh në internim, Vehip Hoxha ndërroi jetë, atje në Savër. Katër gratë mbetën vetëm dhe vazhduan internimin deri në vitin 1990, kur u rrëzua diktatura komuniste. U kthyen në Tiranë dhe morën një apartament në një pallat që ishte ndërtuar mbi truallin ku kishte qenë vila e tyre në Tiranë. Në vitin 1994, e ëma e tri vazjave, Ane ndërroi jetë.

Ndërkohë, vëllai Asafi, u kthye në Shqipëri për t’i takuar dhe vazhduan lidhjen e përhershme mes tyre. Suzana, Handani dhe Nermini nuk ndërtuan dot familje, kaluan gjithë jetën bashkë, një jetë pa rini, pa ëndrra, pa lumturi. Ishin të dënuara si të gjithë fëmijët e intelektualëve shqiptarë të viteve të para të diktaturës. Vrasja e baballarëve përmes plumbit, burgut apo internimit do të vazhdonte me fëmijët e dënuar pa arsim, të stigmatizuar, të përbuzur e të dhunuar.

U dënuan për të punuar p.sh. si Suzana, me rrallimin e pambukut… është kaq ironike tek e dëgjon këtë shprehje: Punova në rrallim pambuku, punë që unë nuk e pata të vështirë, sepse i kisha të shkathëta lëvizjet e gishtave prej pianos….”.

Kur profesorja e Solfezhit po mësonte të vilte pambuk nëpër arat e Lushnjes, një kooperativiste e dalluar e fshatrave të këtij rrethi po shkëlqente në sytë e udhëheqjes. Lenka Çuko, ishte vjelësja e dalluar e duhanit në Lushnje. Merita e saj ishte se e vilte pambukun me dy duar dhe realizonte dyfishin e normës në krahasim me gratë e tjera. Falë këtij “suksesi” shoqja Lenka u emërua sekretare e parë e Komitetit të Partisë në Lushnje dhe më pas në vitin 1971, erdhi në Tiranë si anëtare e KQ dhe e Byrosë politike të PPSH-së. E gjitha kjo falë suksesit në arat e pambukut në Lushnje.

Mediat e kohës e cilësuan si një yll të ri të udhëheqjes dhe shkruan faqe te pafundme për nisjen e karrierës politike të shoqes Lenka në arat e pambukut. Vjelja e pambukut me dy duar do të ishte zanafilla e shkëlqimit në karrierë të shoqes Lenka. Është një nga ato historitë që dëshmojnë se si injoranca sundoi Shqipërinë përmes metodave komuniste të propagandës si kjo e “vjeljes me dy duar të pambukut”.

“Herën e parë, tregon Lenka Çuko, me ngjajti e vështirë vjelja e shpejtë, pasi për të mbledhur shumë pambuk duhej të mos shikonja përparësen, por të mësonja duart që prodhimi të shkonte në xhepin e caktuar. Dhe unë u mundova që të mos shikonja në xhep dhe të tejkaloja normën sa më shumë.

Brenda një jave duke vjelë çdo ditë sipas metodës së Baslla Bagirovës, Lenka arriti të vjelë nga 25 kg që e kishte normën ditore, 45 kg pambuk. Por ajo nuk qëndroi me kaq, ajo u mundua që të arrijë deri në 60 kg pambuk brenda 8-orëshit, edhe këtij qëllimi, kooperativistja Lenka Çuko ia arriti me sukses”, shkruhet në revistën “Bujqësia Socialiste”.

Tani mund të qeshësh me këtë propagandë të komunistëve, por e vërteta e dhimbshme është se shoqja Lenka dhe mijëra shoqe e shokë të saj nëpër Shqipëri, sunduan përmes injorancës të gjithë pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare. Vranë e burgosën pa mëshirë breza të shumtë të elitës intelektuale shqiptare dhe instaluan përfundimisht injorancën në krye të vendit.

Kështu u shua shtresa e intelektualëve shqiptarë për t’u zëvëndësuar me vjelëse pambuku, çobanë, këpucarë e teneqexhinj. Ata drejtuan vendin për 50 vjet, më pas fëmijët e tyre që patën të drejtën e arsimit dhe gjithë privilegjet… ndërsa Suzana, Handani e Nermini e të tjerë fëmijë të profesorëve, doktorëve, juristëve, shkrimtarëve… intelektualëve të gjysmës së parë të shekullit që shkoi, jetuan deri në fund të përndjekur nga regjimi dhe sot fëmijët e tyre janë gjithashtu të përbuzur.

Ndaj dhe duket kaq normale, që pas 30 vitesh nga rënia e diktaturës ne na drejton Gramoz Ruçi, Spartak Braho, bijtë e etërve komunistë bashkë me modelet e tyre të reja që po e qeverisin Shqipërinë përmes korrupsionit, krimit e injorancës. Mjafton kaq për të kuptuar se sa larg Evropës jemi e do të vazhdojmë të jemi….

ObserverKult

Lexo edhe:

FATI I MALLKUAR I FRANCIS DHE ZELDA FITZGERALD…