Vertikale
Përsëri bosh,
Njësoj si ditën e lindjes.
Ulur përballë pasqyrës.
Nuk kam nevojë të më shikojë dikush tjetër.
Nuk kam nevojë të më mësojë fjalët dikush tjetër.
Nuk ka nevojë të mi tregojë fjalët dikush tjetër.
Me gjithë këto fjalë…
Me gjithë këto ngjyra, këto fytyra, këta zëra, këta shikime, me gjithë ato duar që të duan dhe të shpëtuan, që të mbyten dhe të zgjuan.
Bosh!
Para pasqyre, si para Zotit.
Foli tani. Pyete.
Tregoj për dhimbjet e tua.
Tregoj për dashuritë e humbura. Njëra pas tjetrës, njëra pas tjetrës, të gjitha njësoj.
Tregoj për varfërinë tënde, të prindërve,
të njerëzve që të rrethojnë,
Dhe pasi t’i tregosh thuaj:
Se paraja s’të bën të lumtur (e dimë të gjithë),
Po nëse ai që rrinte në rrugën e romëve
të hante sot në mëngjes
Tani do ishte gjallë, me barkun plot.
Po Perëndia thotë: “Ai prapë s’do ishte i lumtur!”
Tani mbylli sytë,
Pasi takove Zotin,
Vjelli të gjithë njerëzit një nga një.
Vjellua hijet,
Fjalët,
Shikimet…
Atë ngrohtësinë që mundohesh ta mbash sa më thellë zemrës tënde që mos të ftohet,
Dhe të ngjajë në dorë të vdekur.
Nxjerri dhe thuaju:
Se i do,
Se i mban mend shumë mirë,
Se kurrë nuk i pate harruar.
Se ata nuk qenë kurrë një takim i kujtuar nga një alarm.
Se ata nuk ishin rastësia,
Se ata ishin brenda teje dhe pasi dolën,
Dhe vendosën të ikin,
Dhe ikën larg…
Ti i ke brenda prapë.
Jepi…
Ndjehu bosh
S’ka asgjë të keqe.
Lirohu
Qaj përpara vetes,
Shih lotët,
Ndjeje valën e tyre që djeg faqet
Dhe braktise kohën
Dhe qaj për të tashmen tënde,
Dhe pastaj buzëqeshu për të tashmen tënde.
Dhe ji bosh
Derisa,
Derisa,
Derisa,
Dashuria të të zgjojë.