Një libër i ri sapo ka hyrë në kolanën e botimeve të Akademisë së Shkencave.
“Nyjat në gjuhën shqipe: diakronia dhe sinkronia e një evolucioni tipologjik: prokliza binare dhe enkliza shquese” i gjuhëtarit të njohur Aristotel Spiro sapo ka dalë në dritën e botimit.
Ky libër është vlerësuar nga recesentët Gjovalin Shkurtaj dhe Ethem Likaj për vlerat mirëfilli shkencore dhe prurjet konkrete falë hulumtimeve të kujdesshme e të ngjeshura dhe për shqyrtimet e gjera e të arsyetuara për nyjat e gjuhës shqipe.
Studimi i Aristotel Spiros është një përpjekje e re për të ndriçuar thelbin e burimit të nyjave dhe anë të veçanta të tij. Autori ka ndjekur kryesisht metodën strukturore funksionale, të mbështetur edhe me elemente të metodës historike-krahasuese dhe asaj kontrastive.
Studimi mbështetet në njohje mjaft të mirë teorike, falë një literature të gjerë të shfrytëzuar dhe të cituar dhe si i tillë do të jetë një ndihmesë e mirë në punimet gjuhësore historike. Nyjat përbëjnë një nga kategoritë kryesore e më të rëndësishme të gramatikës së gjuhës shqipe. Si në planin diakronik ashtu edhe në atë sinkronik, ato paraqiten si kategoria më e diskutueshme e gramatikës së saj.
Shfaqja e tyre pati pasoja të thella për gjithë strukturën e saj gramatikore. Nyjat e shqipes kanë qenë disa herë objekt qendror studimi i studiuesve shqiptarë dhe të huaj (H. Pedersen, M. La Piana, N. Mjeda, E. Çabej, S. Riza, Sh. Demiraj, E. Likaj, M. Çeliku, B. Bokshi, K. Topalli, M. Samara, C. Tagliavini, V. Pisani, A. An Droutsopoulou, J. Trommer, H. Campos, I. Giurgea etj. etj.).
Libri paraqet në një pamje të gjerë e të plotë gjithçka është shkruar e pohuar për nyjat në studimet e derisotme, duke synuar që, ndërkaq edhe të saktësojë e të sjellë shqyrtime të reja, ndonjëherë edhe duke i parë në një dritë të ndryshme ato që ishin shkruar e botuar më parë.
Pas trajtimeve kushtuar nyjave të shqipes në librat “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe” dhe, sidomos, të kreut “Problemi i nyjave të shqipes” në veprën madhore të Shaban Demirajt “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”,1986, f.297-357, mund të mendohej se problemi i nyjave të shqipes ishte shqyrtuar e hulumtuar shterueshëm.
Por, mbas një vargu artikujsh të shkruar në rrjedhë të viteve për këtë tematikë, Aristotel Spiro na vjen me një monografi të gjerë që rrok përmasat e 505 faqeve.Autori ka zgjeruar problematikën e studimit diakronik e sinkronik për të dy llojet e nyjave, duke u përpjekur t’u japë zgjidhje një sërë problemeve themelore që kanë mbetur të hapura deri më sot në gjuhësinë shqiptare.
Pavarësisht nga shqyrtimet e mëparshme në planin diakronik, anët e errëta janë të shumta, për shkak të dokumentimit relativisht të vonë të shqipes, prandaj ishte punë e arsyeshme që, krahas metodës deduktive, gjatë studimit diakronik të nyjave të merret parasysh edhe gjendja e sotme gramatikore, po ashtu edhe gjendja që ekziston ndër dialektet e gjalla të shqipes, si brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, Republikës së Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe nëpër treva të tjera shqipfolëse e ishuj dialektorë të shqipes nëpër botë, duke menduar me të drejtë që gjendja e sotme e tyre mund të ndriçojë anë të errëta zhvillimesh më të hershme historike.
“Kali i betejës” së autorit në këtë monografi është synimi i tij për të argumentuar se: “Historia e prapavendosjes së nyjave shquese në shqipe është njëkohësisht edhe historia e lindjes së tyre. Nyjat e përparme paraqesin një simetri të plotë përdorimi e përndarjeje.
Përkundrazi, nyjat e prapme janë më heterogjene përsa i përket origjinës së tyre në krejt sistemin rasor (khs. nyjat e prapme shquese në rasën kallëzore njëjës dhe në rasën emërore njëjës të emrave femërorë).
Nuk ka një përkatësi të plotë biunivoke midis nyjave të përparme dhe atyre të prapme. Edhe nga kjo pikëpamje dëshmohet se historia e enklizës së shquar të shqipes zë fill tek nyjat e përparme të saj./
ObserverKult