Nga jeta e një ëndërrimtari

Nga: Gentiana Softolli

(Fyodor DOSTOEVSKY: Net të bardha, Argeta LMG, 2021)

Autori

Fyodor Dostoevsky ishte shkrimtar, eseist dhe filozof rus, i cili jetoi gjatë viteve (1821-1891). Dostovesky me profesion ishte inxhinier ushtarak, por nuk është se e ushtroi gjatë këtë detyrë sepse për një kohë të shkurtër iu kthye shkrimit me novelën e tij të parë “Njerëz të varfër”. Sipas disa shkrimeve thuhet se veprat e tij të para “Maria Stuart”, “Boris Godunov” dhe “Hebre Yankel” përkatësisht shfaqjet e tij teatrale i humbën. Punimet e tij të para u botuan në revistën e vëllait të tij, por popullaritetin e madh e arriti pas vdekjes. Shkrimtari i preferuar i Dostoevskyt kishte qenë Pushkini. Dostoevsky ishte dënuar me vdekje, por që çastet e fundit u anulua vendimi për ekzekutim dhe kështu ai së bashku me të dënuarit e tjerë u detyrua të punonte punë të rënda në Siberi. Gjatë qëndrimit në burgun e Siberisë mësoi nga reagimet e të dënuarve me vdekje dhe kjo e bëri një psikanalist të madh në prozë. Gjatë këtij qëndrimi ai kishte përjetuar edhe sulme epileptike, të cilat lanë pasoja që i shohim në veprat e tij si “Idioti”, “Krim dhe ndëshkim” etj. Dostoevsky ishte një person i fiksuar pas femrave, ai vizitonte rregullisht prostitutat, gjë që e kishte penguar të krijonte një familje normale. Prapa vetes Dostoevsky la një krijimtari të pasur letrare e cila u vlerësua vetëm pas vdekjes së tij. Disa nga veprat e tij janë: “Krim dhe ndëshkim”, “Idioti”, “Djajtë”, “Shënime nga nëntoka”, “Kumarxhiu”, “Vëllezërit Karamazov”, “Novelë në nëntë letra”, “Net të bardha” etj.

Novela

Novela “Net të bardha” nga Fyodor Dostoevsky hyn në kuadër të novelave të shkurtra të këtij autori i cili shpalos kujtime nga jeta e një ëndërrimtari. E veçanta e kësaj novele është pikërisht përmbledhja e gjithë ngjarjes në katër net, të cilat autori i quan “Net të bardha”. Edhe përkundër faktit se “Net të bardha” është novelë e shkurtër dhe e minimizuar nëse mund të themi edhe sa i përket personazheve, ngjarja e cila trajtohet brenda i takon një kauze jo pak të rëndësishme. E gjithë ngjarja zhvillohet në Rusi brenda 4 netëve në mes dy personazheve, Ëndërrimtarit dhe Nastjenkës. Pra, kjo është sa i përket pjesës së përgjithshme fabulare të cilën Dostoevsky e ka përshkruar me një mjeshtri letrare.

“Net të bardha”

Dostoevsky e ka titulluar romanin e tij “Net të bardha” sepse në Rusi të tilla quheshin netët kur qielli ishte i kthjellët dhe rrugët ishin më të ndriçuara, dhe në një farë forme edhe për personazhin kryesor, takimi me Nastjenkën i vjen sikur një dritë në mes të errësirës. Ajo çfarë e bën të veçantë këtë roman është pikërisht titulli i tij dhe përmbledhja e gjithë ngjarjes në katër ditë e një mëngjes. Ndonëse janë dy rrëfime, një Ëndërrimtar që e shkon jetën i vetëm, një vajzë që jeton me gjyshen e saj e cila ia kontrollon qoftë edhe lëvizjen më të vogël, një dashuri e largët dhe një tjetër e cila shpaloset në çastet e fundit, këto katër net janë të vetmet dhe vendimtaret të cilat e nisin dhe e përfundojnë fabulën e këtij romani.

Narratorin në këtë roman në mënyrë indirekte mund ta shohim si të ndarë, kur bëhet përshkrim në roman narratori është autor, ndërsa kur bëhet rrëfim autori rolin e narratorit ua kalon personazheve. “Net të bardha” është një roman ku autori nuk e lodh lexuesin shumë me orvatje të panevojshme dhe këtë e kuptojmë jo vetëm nga volumi por edhe nga struktura përmbledhja dhe narrativa e këtij romani. Brendia e novelës padyshim që rrëfen ngjarje nga e kaluara e dy personazheve të sintetizuara me njëra-tjetrën që shpalosen me anë të dialogjeve të gjata, që këta të fundit i realizojnë gjatë këtyre netëve, pra rrëfimi në këtë roman është retrospektiv dhe introspektiv me raste të caktuara.

Një jetë pa histori

Tema që trajton ky roman është vetmia e një Ëndërrimtari i cili në trurin e tij e ka krijuar dhe e jeton një jetë të cilën realiteti i zakonshëm zor se do të mund t’ia ofronte. Ai jetonte pothuaj i vetëm dhe pa mundësi për tu rrëfyer përballë dikuj, deri në momentin kur e takon Nastjenkën, vajzën me të cilën edhe do të dashurohet. Ëndërrimtari, në këtë rast edhe personazhi kryesor i këtij romani, emrin e të cilit Dotoevsky nuk e ka treguar, pohon gjatë gjithë kohës se Nastjenkën e ka takuar diku në ëndërrat e tij edhe përpara takimit të tyre real. Përgjatë këtyre 4 netëve ata diskutojnë për pjesën më të madhe të gjërave që i kanë preokupuar e që nuk kanë pasur mundësi të rrëfehen ndaj edhe shpalosja e këtyre dy historive na vjen si rrëfim para priftit. Në kuadër të këtij rrëfimi autori përveç fabulës së veçantë që na e ka ofruar, brendia e tij përmbanë edhe një lloj trajtimi të problemeve psikike të personazheve në këtë rast, duke e ditur kështu që “Net të bardha” nuk është i vetmi roman i këtij autori që trajton një situatë të tillë. Diskursi brenda këtij romani është personal, mirëpo duke marrë parasysh që kemi të bëjmë me dy personazhe të ndryshme nga njëri-tjetri atëherë edhe mund të themi që diskursi zhvillohet në dy linja paralele. Linja e parë ose pjesa diskursive që i takon Ëndërrimtarit kemi të bëjmë me me një diskurs të pastër letrar prej shkrimtari, i cili edhe përkundër ndjenjave të përziera që ka, arrin që me sentimentalizëm të përshkruaj jetën apo thënë më mirë ëndërrat e tij. Linja e dytë i takon Nastjenkës e cila nëse e shikojmë me objektivizëm çon një jetë tejet të mërzitshme gjithmonë e kontrolluar nga gjyshja e saj, mirëpo rrëfimi i saj vjen në formë të stilit bisedor pa ilustrime letrare në krahasim me atë të Ëndërrimtarit.  

Nastjenka

Autori te “Net të bardha” krijon një lloj pakti autobiografik me lexuesin duke i dhënë shenja asociuese për autobiografi që lë të nënkuptohet mes rreshtash. Ngjarjet brenda romanit jepen në formë të sekuencave kronologjike që krijojnë një lidhmëri mes vete ku akordohet një lloj strukture që na bën të krijojmë një kuptim më të thellë për ngjarjet. 

Në jetën e Nastjenkës thuajse çdo gjë është e mërzitshme dhe e zakonshme përveç historisë së saj me qiraxhiun. Nastjenka, edhe përkundër kontrollës dhe regjimit të ashpër që ushtrohet nga gjyshja, ajo dashurohet me qiraxhiun me të cilin edhe dëshiron të ikë, mirëpo ky i fundit i kërkon që të presë një vit derisa ai të arrij të balancoi gjërat në jetën e tij. Pas kësaj kemi një rrjedhë të ngjarjeve që duket edhe si paradoksale kur Nastjenka takohet me Ëndërrimtarin i cili dashurohet në të, duke e vendosur kështu Nastjenkën mes dy zgjedhjeve kur ajo ende ishte duke menduar për të parën. Kështu Nastjenka ndodhet mes dy dashurive dhe dy njerëzve që i do, por, secilin në mënyrën e vet. Megjithatë, ajo bëri zgjedhjen e saj, akt ky i cili shënon edhe fundin e rrëfimit.

Përfundim Akti i të folurit kodifikon veçoritë semantike dhe në këtë mënyrë kontekstualizohet dhe shpërndahet edhe jashtë letërsisë dhe kështu arrijmë në përfundim se çdokush rrëfen tregimin e vet. Secili kemi nga një rrëfim brenda, disa prej të cilëve edhe mbesin aty, e arsyet janë ose nuk ia vlenë të tregohet ose nuk është dikush që ia vlenë t’i rrëfehesh. 

ObserverKult

thenie të dashurosh dostojevski quotes

Lexo edhe:https://en.wikipedia.org/wiki/Fyodor_Dostoevsky

DOSTOJEVSKI: NË ZEMRËN QË DASHURON VËRTET OSE XHELOZIA VRET DASHURINË OSE DASHURIA VRET XHELOZINË…