O Big Brother e helmuat këtë rini, po na shkatërroni fëmijët…

Nga Lida Shosha

I them një stafit tim sot: Shihemi nesër në sallë, kemi një operacion të madh, tumor. Duke qeshur më thotë: Ishalla mbarojmë shpejt, të shohim Bigun.

Kë big?- i them,- s-ishte dje?

Jo, o doktoresha, ishte pardje, është nesër,- qeshën me mua, e unë me ta.

S’e ndjek BB, disa minuta rastësisht kam pa, por kur i kanë shtu dhe fjalën BIG, e duke kuptuar emrat, po mendoja, s’janë vipa, po s’janë as rripa.

Nuk e ndjek, jo vetëm për shkak të ngarkesës, më tepër refuzimit t’i dedikoj atë pak kohë të vyer, që herë më mbetet e herë jo, një programi të stisur, të fryrë me eksploziv.

Një emision që brenda ka mjerimin e shoqërisë e rinisë së sotme shqiptare, që ëndërron të pasurohet duke ndenjur, duke ngrënë e pirë, duke bërë qejf e duke u tallur me ata që u bie bretku të sigurojnë copën e përditshme të bukës mes shiut, të ftohtit, borës e acarit, që flenë e ngrihen të pagjumë.

Pra, një emisioni që nuk rrezaton aspak kulturë, e civilizim, po cica e prapanica të zbuluara, thuaj se ne jashtë, nuk kemi, e vdiqëm të shohim tuajat, një emision që nuk të pasuron shpirtin, po të varfëron e infekton me virus, dhe ato pak neurone që u kanë mbet shqiptarëve të rënuar ndër vite nga zallamahia politike e mjerimi shoqëror.

Rastësisht shoh një video të një goce me emrin K…, në instagram , ku s’kishte vend për koment, ma turp nuk ka, kjo u servir si VIP.

Më falni ju të Top Channelit, me çfarë metri keni matur Vipllëkun e njerëzve që proklamoni në një program kombëtar, me 60x90x60, a duke servirur modele me fjalor e sjellje rrugaçërore, femra me sjellje si prostituta, vulgaritet e neveri si qenie njerëzore njëherë.

Mandej këta Vipat , i fusin dhe ca shpulla njëri-tjetrit, tamam për të treguar që Vipat që rrihen, duhen.

Sa për dijeni ky vend ka persona që e meritojnë vërtet statusin VIP (Very Important Person) nga të gjitha fushat e jetës, që e kanë të shkruar në ballë, me punë, mund, djersë, sakrificë, investim, kulturë, e kanë lënë gjurmë, dhënë shumë nga jeta e tyre për kët vend, po kurrsesi s’do pranonin të ishin pjesë e një produksioni ordiner.

Por VIP është dhe ai bujku i katundit e fermeri që punon tokën.

Ai çohet kur këndon gjeli, të mbjellë, ujisë, prashisë e prodhojë ato që na serviren për jetesën e përditshme, e më shumë Vip se ata aty brenda, dhe e dini pse, sepse me duart e djersën e tij prodhon dhe i gëzohet frutit të mundit të tij.

Ai është i vlefshëm për shoqërinë, ju aty brenda si duheni as dreqit.

Pastaj dëgjoj, dikush është shumë i sëmurë, me sëmundje të keqe, mund të vdes, diagnostikohet për 20 minuta që s’ka tumor, uau… ja arritëm dhe kësaj dite, dhe më pas ishte shaka. Seriozisht???.

A e dini si ndihet një pacient me tumor, a e dini si i fiken qelizat e shpresës një nga një, a e dini që në venat e tyre rrjedh gjaku i dëshpërimit për jetën që u shuhet, për fëmijët, të afërmit që s’do i shohin më.

Si mund të luhet kjo lojë tragji-komedi e shëmtuar e neveritshme, në një televizion kombëtar, e të duartokitet si sukses. Yjeeeee, këtu s’mban më, kjo fjalë ushëtin si ofshamë, tallje për ata që sjanë as qirinj, ….

Po ti moj AMA, në cilin gjumë të thellë ke rënë vallë, që nuk po çohesh dot, ca copa breshëri u rënshin mbi kokë jarebi, se s’bën derman rebeshi mbi çati, ç’them dhe unë, shiu e rebeshi me gjyma, u përmbyt gjithë shqipëria, u çanë hidrocentralet, po AMA nuk i tundet çatia, për kokërr të qejfit jo vetëm po fle, po dhe po sheh ëndrra me Ertugrulin.

E helmuat këtë rini, po na shkatërroni fëmijët, po i shuani ëndrrat, se ai që studion e punon realisht të bëhet dikushi në shoqëritë e civilizuara me edukim e shkollim, është i pashpresë, po u servirni modelin më të neveritshëm e të pashembullt se si mund të arrihet mirëqënia në jetë.

Po ashtu si mund të bëhesh i famshëm, duke mos bërë asgjë, duke prodhuar tym cigareje, thashetheme, sjellje të pacipa, dhe ca humor të zi, të plotësohet pazëlli.

Është shkëputur totalisht vëmendja nga skandalet politike e problemet e shumta reale të shoqërisë shqiptare dhe ky spostim është i qëllimshëm.

Produksioni i BB, një gjë ja ka arrit, është bërë levë e shëmtuar e pushtetit, e na ka neverit, për të tjerët, ka Barbarosa dhe Osmana me tupana…

Mos e pranoni të keqen t’ju serviret si standard, aq më shumë e keqja rritet nga indiferenca jonë, e përhapet si metastazë, dëmton rininë, fëmijët e të ardhmen e gjithë shoqërisë.

STOP Big Brother! Transmetoni emisione edukative, kulturë e dije qytetarie!

(Autorja është mjeke)

*Titulli i origjinalit: Krimi mediatik në emër të Vipllëkut, statusi ku po degradon shoqëria shqiptare

Janar, 2023

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBA MALLTEZI: TË RINJTË NË BIG BROTHER NUK JANË HERONJ, ATA JANË SI TË GJITHË NE…

Nga Alba Malltezi

Si përherë, dhe fatmirësisht, kemi të drejtën tonë të shprehim në liri mendimin mbi këdo, ndaj kujtdo.

Dhe nuk e ka më shumë të nevojshme këtë asnjë popull tjetër, më shumë se ne. Nuk jemi shprehur për dekada të tëra, dreqi e mori.

Nuk kemi pipëtirë që të vegjël, e shumë prej nesh deri pleq.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult