“O grua e bukur”, Leka Sefla interpreton poezinë e Artan Gj. Hasanit

ARTAN GJYZEL HASANI: O GRUA E BUKUR!

një kopsë e zbërthyer në këmishën e qiellit
dhe diellit i merret fryma mes gjinjve të tu…

…sa herë që ti hap buzët
xhindet dalin nga shishja
bota harron dy dëshirat e tjera
dhe qiejt lëkunden…

sa herë që ti gëlltitesh
burrat e qytetit zvogëlohen
dhe hija jote mbars me hiret e tua
cigaret që nuk dinë ku t’i shkundin…

sa herë që kohën vret me ne
vend varri për të nuk ka…

në orën e madhe të retinës tënde
akrepat dëshmojnë vetminë tonë…

por dikur mund të të mbarohen vështrimet,
dhe… o Zot…
ajo ditë mos ardhtë kurrë,
bëje të jetë natë…

se kush do t’ia fshijë pluhurin qytetit shëndetlig
nga vitrinat bosh të syve…?

ti zhvishesh
dhe qyteti mërdhin…

pastaj ti fle
dhe qyteti humbet gjumin…
o, grua e bukur!