O shqiptar! Lëre tjetrin të jetojë si t’i dojë kokrra e qejfit!

lere të jetojë

Lëre tjetrin të jetojë!

Nga Arjola Shehaj

A ka mundësi të jetojmë të lirë në këtë vend?
Nëse këtë pyetje e bëj unë, unë që pretendoj të jem jem shpirti më i lirë i shoqërisë sime, vaj me det çfarë ndodh me të tjerët.

Ka shumë kohë që e mendoj këtë shkrim, sepse më ka ardhur në majë të hundës fakti që sapo hipi në ashensorin e pallatit, fqinja përballë më pyet: Vazhdon punë? Atje ku ke qenë besoj?

Dreqi e mori është ora 07 e 20 , unë kam rreth 30 apo 40 minuta që jam zgjuar, kam fjetur shumë vonë mbrëmë, kam një mal me punë për të bërë, as për të ngrënë një kafshatë bukë nuk më doli koha edhe ajo pret që unë t’i flas për punën….dhe jo vetëm për punën sepse është e sigurt që nëse unë i jap pakëz muhabet gjithë biografia e jetës sime do të skanohet derisa ne të kemi arritur në katin e parë.

Edhe kjo nuk ndodh vetëm në ashensorin e pallatit tim por në të gjithë ashensorët e Republikës së Shqipërisë.

Dëgjoj shpesh të thuhet se fakti që kemi qenë një vend i mbyllur për shumë kohë na ka bërë më “ provincialë” dhe më të prirur për të parë çfarë ndodh pas derës së komshisë por mendoj se kjo nuk është arsye.

I gjithë problemi, gjithmonë sipas mendimit tim qëndron në faktin që ne nuk lexojmë. Kot nuk thonë dija e zbukuron njeriun. Jam e sigurt sikur ne të gjithë, të lexonim qoftë një faqe në ditë Shqipëria do të ish më e mirë dhe jo vetëm në drejtimin e lirisë.

Nëse do të lexonin do të kuptonin që jeta, ajo jeta e vërtetë nuk ka lidhje fare me atë derën e komshies.

Aha po, mund të kishte lidhje nëse komshia do të ishte një beqar simpatik atëherë ty do të duhej t’i hidhje një sy .

Ajo që më bën më shumë çudi është që ky fenomen ndodh edhe tek brezi i ri, nuk e di nëse më ndodh vetëm mua, por unë nuk e përtyp dot faktin që të rinjtë e sotëm ta kenë ves të dijnë më shumë seç duhet për të tjerët dhe rrjedhimisht të flasim e paragjykojnë ata.

Çdo njeri është i ndryshëm, edhe pse mund të ketë lindur në një ditë me ty, edhe pse mund të jetë rritur në një qytet me ty.

Fakti që është veshur me converse nuk e bën më pak të denjë se ty përkundrazi lekët që i kurseu për atletet ndoshta ai i ka investuar diku ku ndihet shpirti i lirë.

Mua s’më ka pëlqyer kurrë të jap këshilla ndaj mos e merrni si të tillë, ama ju lutem lëreni çdo njeri në këtë planet të jetojë si t’i dojë kokrra e qejfit (kuptohet pa u cënuar ju) , më besoni kur ta bëni këtë do e kuptoni që deri dje, keni qenë thjesht duke marrë frymë mbi tokë./bitchmagazine

ObserverKult

———————

Lexo edhe:

“PËRPUTHEN”, Ç’BËHET KËSHTU?!