Fragment nga Octavio Paz: Përse i do sytë e mi?

octavio paz

U zgjova nga gjumi i mbytur në djersë. Nga dyshemeja pllakakuqe e porsavaditur, ngrihej një avull i nxehtë. Një flutur me krahë të përhimë flatronte e magjepsur rrotull dritës së verdheme.

Kërceva nga hamaku dhe këmbëzbathur përshkova dhomën duke bërë kujdes se mos shkelja ndonjë akrep që kishte dalë nga vrima e tij për ta marrë fresk. U avita te dritarëza dhe thitha ajrin e fushave.

Dëgjohej frymëmarrja e natës, e stërmadhe, femërore. U ktheva prapë në mes të dhomës, zbraza ujin e ibrikut në legen dhe qulla peshqirin.

Fërkova me të gjoksin dhe këmbët, u fshiva pak dhe pasi u sigurova mirë se ndër palët e rrobave të mia nuk qe fshehur ndonjë kafshëzë, u vesha e u mbatha.

Duke u hedhur zbrita shkallët e lyera me jeshile. Në derën e bujtinës ndesha të zotin e saj, një tip i heshtur e vëngërosh. Ulur në një karrige xunkthi, tymoste me syrin gjysmë të mbyllur. Me zë të ngjirur më pyeti:
-Ku po shkoni zotëri?
-Të bëj një xhiro. Bën shumë vapë.
-Hëm, është errur e bërë pus. Rrugët janë terr, s’ka ndriçim këtu. Më mirë të mos lëviznit.


Ngrita supet, thashë një « nuk vonohem» nëpër dhëmbë dhe u krodha në errësirë. Në fillim nuk dalloja gjë prej gjëje. Eca verbazi në rrugën me kalldrëm. Ndeza një cigare. Befas, nga një re e zezë doli hëna që ndriçoi një mur të bardhë, të ronitur vende-vende. U ndala i verbuar nga tërë ajo bardhësi. Fryu pakëz erë. Thitha ajrin e marinave. Nata fërgëllinte e mbushur me gjethe dhe insekte.

Bulkthat kishin ngritur çadrat mes barit të lartë. Ngrita kokën: edhe sipër yjet kishin ndërtuar kampin e tyre. Thashë me vete se gjithësia ishte një sistem i tërë sinjalesh, një bisedë mes qenieve të pafundme.

Veprimet e mia, krikrija e bulkthit, drithëritja e yjeve, s’ishin veçse pauza dhe rrokje, fraza të shpërndara të atij dialogu. Cila do të qe ajo fjalë, rrokje e së cilës isha unë? Kush e thotë atë fjalë dhe kujt ia thotë? Hodha cigaren përtokë. Tek ra, ajo përshkoi një kurbë vezulluese duke hedhur shëkndija, tamam si një kometë e vockël.

Eca, një kohë të gjatë, ngadalë. E ndieja veten të lirë, të sigurt mes buzëve që në atë çast më përmendnin me aq lumturi. Nata ishte një kopsht sysh.
Tek kryqëzova një rrugë, ndjeva se dikush u shkëput nga një portë. U ktheva, por nuk arrita të shquaja asgjë. Nxitova hapin.

Disa çaste më vonë më kapi veshi zhurmën e mbytur të një palë sandaleve mbi gurët e nxehtë. Nuk desha të kthehesha, megjithëse e ndieja se hija po afrohej përherë e më tepër.
U përpoqa të vrapoja. Nuk munda. Befas u ndala në vend. Përpara se të kisha kohë të mbrohesha, ndjeva majën e thikës në shpatull dhe një zë të ëmbël:
-Mos lëvizni zotëri, ose ju çova në botën tjetër.
Pa e kthyer kokën e pyeta:
-Ç’do?
-Sytë tuaj, zotëri, -u përgjigj zëri i ëmbël, gati i trishtuar.
-Sytë e mi? E ç’të duhen sytë e mi? Shiko, kam me vete ca para. S’janë shumë, por diçka janë. Do të të jap gjithçka kam, po më le të shkoj. Mos më vrit.
-Mos kini frikë, zotëri. Nuk do t’ju vras. Dua vetëm t’ju nxjerr sytë.
-Po mirë xhanëm përse i do sytë e mi.


-Një kapriço e të dashurës sime. Do një buqetëz me sy të kaltër. Dhe këtu ka shumë pak njerëz që i kanë sytë të kaltër.
-Nuk të bëjnë punë sytë e mi. Nuk i kam të kaltër, i kam të verdhë.
-Oh mor zotëri, mos u mundoni të ma hidhni. E di mirë që i keni të kaltër.
-Nuk i nxirren një të krishteri kështu sytë.
Do të të jap tjetër gjë.
-Mos bëni xhibla-më tha me të ashpër.
-Kthehuni.


U ktheva. Qe trupvogël e i brishtë. Sombreroja prej palme i mbulonte gjysmën e fytyrës. Në dorën e djathtë mbante një thikë që shkëlqente në dritën e hënës. Shkëlqimi i saj më bëri të pulitja sytë. Ai m’i hapi qepallat me dorë të hekurt.

Nuk shihja dot mirë. U ngrit në majë të gishtërinjve dhe m’i nguli sytë gjatë. Flaka po më digjte dorën. E hodha. Ai ndenji një hop i heshtur.
-A t’u mbush koka? Nuk i kam të kaltër.
-Ah ç’dhelpër që jeni, -m’u përgjigj.-Pa ndize edhe një herë.
Ndeza një fije shkrepse tjetër dhe e afrova te sytë. Më tërhoqi nga mënga dhe më urdhëroi:


-Bini në gjunjë.
U binda. Me njërën dorë më zuri nga flokët dhe ma tërhoqi kokën pas. U përkul mbi mua kureshtar dhe i përqëndruar, ndërsa thika zbriste ngadalë derisa prekte qepallat e mia. Mbylla sytë.
-Hapi fort, -më urdhëroi.
Hapa sytë. Flakëza më digjte qerpiktë. Pa pritur e pa kujtuar më lëshoi.
-Vërtet që s’qenkan të kaltër, zotëri. Më falni.


Dhe u zhduk. Ndenja në bisht pas murit me kokën në duar. Pastaj u ngrita. Pengohu këtu e pengohu më tej, vrapova një orë të tërë nëpër fshatin e shkretë.

Kur arrita në shesh pashë të zotin e bujtinës, që vazhdonte të rrinte ulur përpara portës. Hyra pa thënë asnjë fjalë. Të nesërmen ia mbatha nga ai fshat.

*Shkëputur nga libri i Octavio Paz: “Zjarri i përditshëm”

Përktheu: Mira Meksi

*Titulli i origjinalit: “Buqeta e kaltër”

Përgatiti: ObserverKult


octavio paz dy trupa prej shiu

LEXO EDHE:

DY TRUPA BALLË PËR BALLË, JANË DALLGË…OCTAVIO PAZ

Dy trupa ballë për ballë
nganjëherë janë dy dallgë
dhe nata është një oqean.

Dy trupa ballë për ballë
nganjëherë janë gurë
dhe nata një shkretëtirë.

Dy trupa ballë për ballë
Nganjëherë janë dy rrënjë
të kapërthyera nëpër natë.

Dy trupa ballë për ballë
nganjëherë janë dy thika
dhe nata shkrepëtima.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult