Dëshironte të mos ishte në anën tjetër të kufirit, aty ku flinin të vdekurit. I kishte rënë mespërmes shkretëtirës, vetmisë së ndritshme që shfaqej për t’u kapur me thonj e mund tek ajo e padukshmja që fshihej. Kërkonte të spjegohej.
E panë shtrembër, si të bëhej fjalë për diçka të parëndësishme, pa vlerë. Mungesa dhe harrimi, si mohim dhe pengesë, i kërkuan të kthehej, pasi, ku ishte parë e dëgjuar që diçka e padukshme, e parrokshme, e paformë, diçka si frymë a si pluhur kozmik të ulej në mbrëmje si e barabartë, para pasqyrës?
Të çuditur, vdektarët verifikuan edhe njëherë vendet e tyre të punës, sendet, vetminë e rrugës, rindërtuan në mendje ngjarjet dhe pastruan historitë. Pyetën të gjithë udhëtarët e rastësishëm, pa të drejtën e të çensuruarit dhe pasi u siguruan, u fshehën nëpër cepa e skuta moskokëçarës. Përgjonin të qetë, ndonëse përbrenda ndjenin pickimet e një makthi kalimtar që nuk ndalej.
Ata më dinakët e hileqarët që e kishin stomakun mbushur plot me zhapikë e sfurqe dyshimi e xhelozie, pyetën gurët kilometrikë dhe vitrinat. Pyetën edhe sakrificën. Vetëm natën nuk arritën ta pyesin. Nata i trembte. Kishin provuar për shumë kohë të ndaheshin prej saj, por nuk kishin mundur. Nata i kujtonte gjumin, vdekjen, fajin. Ajo se si kishte një fuqi të pashpjegueshme zbutëse. E keqja, ankthi, zemërimi natën dorëzoheshin, ndonëse në mënyrë të çuditshme.
Vetëm se, vetëm se haraçi që duhej paguar ishte i tmerrshëm, i pamëshirshëm. Fshirja dhe nënçmimi rrezikonin gjithçka. Përndryshe ditës, nata kontrollonte me vetëdije si një nyjë çensore, e sofistikuar, e stërvitur, çdo detaj spontaneiteti e harmonie, horizontin dhe humbjen përvëluese. Pavarësisht nga përmasa zbutëse, nata seç kishte diç tjetër, të pakapshme për syrin dhe mendjen e ngathët, diçka shqyrtuese, që lidhej ose nënkuptohej si histori rreziku a grackë e ngritur, të cilës zor se mund t’i shpëtoje.
Ajo sillte jo thjesht ndjenjë aventure, por dhe rreziqe të papritura. Ikja prej natës, d.m.th symbyllja, shpëtimi prej saj, ngjante qesharak dhe as që e zgjidhte problemin. Përkundër. Aq tepër bridhte mendja nëpër ngacmime saqë nocioni i ikjes e humbte kuptimin. Ende nuk dihej qartë se përse të gjithë ata nuk donin që ai të rrinte para pasqyrës.
Ca të pakët mosbesues as që u dëgjuan, nuk u përfillën, përkundër u censuruan, syrgjynosën, u linçuan e përbuzën. Pengimi, ndonëse dhe vetë e mendonin të pamundur, shpresonin të varroste përfundimisht mundësinë e krijimit të një pamjeje të re, të një ëndrre, udhëtimin, fluturimin, në fund të fundit një shëtitje në park, veshur me petkat e reja të tundimit e joshjes. Sado perverse të dukej përpjekja e tyre, duke përsëritur si në një ajgëtim fatal këmbënguljen kryeneçe, dallohej qartazi se në fund do të largoheshin të brengosur, por gjithsesi pa hequr dorë nga e tyrja. Ngjante si mallkim.
Gjymtyrët, mishin, eshtrat, gungat, madje edhe tatuazhet apo ndonjë cen a shenjë të veçantë ata do ta toleronin, ndërsa atë jo. Do të ishte blasfemi. Nuk e dinin as vetë pse e dënonin kësisoj, pa ndonjë shkak, pa sqarim të qartë, veçse parandjenin që pasi ai të qëndronte sikur dhe disa sekonda para pasqyrës, gjithçka do të shkërmoqej. Kishin madje dhe një pandehmë të ndërkallur që e besonin, sikur ai, përbrenda, seç kishte një zjarr të shenjtë që e ndizte veç aty, zjarr me të cilin ndriçonte çdo gjë të padukshme.
Me këtë akt pengimi, ata kishin pranuar të zbrisnin thellë, jo thjesht në ferr, në gjysmëerrësirë e mumifikim, por në atë zonë eterne, çnderuese, nga ku mbeteshin pakthyeshmërisht të damkosur. Para se të zbrisnin, duke besuar verbtazi në të vetmen shpresë, ndërkryerjen përmes djegies, kryen dhe aktin e fundit. Të padëgjuar më parë. Turpërimin.
Vendosën para pasqyrës pengesën e fundit. E thërrisnin djallëzisht Ndërgjegje. E mbështetën mbi turrë, në ca dregëza e shkarpa të thara skrupujsh morali. Donin ta digjnin me zjarrin e vetvetes. Por ai ishte si pemë durimi mbirë brenda shkëmbit, që fundin e tokës kishte prekur, kryqëzuar në shkulm shtrëngate, përcëllim e vapë, grirë e tretur, dhe mbijetuar.
Ai, diçka si frymë a si pluhur kozmik, që kemi harruar ti vendosim emër, por që prej mijëra vjetësh e thërresim shpirti, me gjithë kushtet sekrete të ndjenjës, ia doli të mbërrinte aty ku deshi, duke ardhur nga tej kufirit, nga përtej, nga fshehtësirat e lindjeve, nga ai vend i bekuar ku marrin dhenë e turpërohen iluzionet dhe egot e fryra. Shpirti qëndroi para pasqyrës, u mbush me ajër, picëroi sytë dhe u lemeris nga shkrumbi i djegur i dëshirave…/ ObserverKult