Odise Plaku: Pse dreqin edhe unë shkruaj!

odise plaku nevojë
Odise Plaku

Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari Odise Plaku.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

Zakonisht takimet e para, apo dhe dashuritë e para mbeten përgjithmonë në kujtesën e një njeriu. Kështu edhe me mua, takimi i parë me letërsinë mbetet i gjallë ende dhe sot e kësaj dite. Në letërsinë gojore nga rrëfenjat e gjyshes sime, dhe dajos së madh nga ana e nënës, një partizan, që katërmbëdhjetë vjeç kishte luftuar deri në viset e Kosovës. Por takimi i parë me letërsinë e vërtetë, të botuar, ishte një libër me një lepurush dhe një ujk që e ndiqte nga pas nëpër një luginë e pyll. Për fat të keq nuk ia kujtoj dot titullin, veç kam qenë i dashuruar shumë si për përmbajtjen, ashtu dhe me ilustrimet e tij. 

Kur ratë në “grackën” e saj?

Gracka që më kapi dhe nuk më lëshoi ka qenë në klasën e katërt të shkollës fillore. Nga ndihma dhe shtysat e mësuesve të gjuhës dhe leximit, nga pjesëmarrja në rrethet e krijimtarisë letrare, fillova të shkruaja në fletore copëza tregimesh, vjersha, që mësuesit m’i vendosnin edhe në këndin e shkollës për t’i lexuar dhe nxënësit e tjerë. Në fillim ndihesha në turp sepse nuk mungonin edhe romuzet e shokëve “Hë, Kadare si më je?”. Por kaloi shumë shpejt dhe shokët u mësuan, madje u ngacmuan dhe shumë të tjerë për të krijuar.  Kështu e kam vazhduar këtë rrugë duke u stimuluar fuqishëm nga mësuesit, por edhe prindërit, që të mësuar tashmë me dëshirën time dhuratën e shpeshtë kisha librin. Ndërsa në shkollën e mesme pata të tjera lidhje me krijimtarinë duke pasur disa botime si poezi e tregime në shtypin e asaj kohe.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

Shkrimtar as dje e as sot nuk mund të them se jam ndjerë shkrimtar. Më pëlqen të sjellë në jetë vepra që të lexohen dhe vlerësohen na lexuesi. Asnjëherë nuk do ta di saktësisht se kur do të ndihem i tillë. Di që përpiqem të shkruaj sa më bukur, pastër, rrjedhshëm dhe me shpirt gjuhën tonë të bukur shqipe.

A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimenzionale vetes “Pse shkruaj”?

Ju thashë më lart që ende nuk e kam veshur mantelin me mbishkrimin “shkrimtar”. Nga opinioni e gëzoj dhe më vjen mirë kur më drejtohen, por nga vetja nuk ndihem rehat. Të bësh letërsi është art më vete, të shkruash sa për t’u gjendur është një anë tjetër.  Kur shohim e dëgjojmë që një vepër bëhet kryevepër dhe shkrimtari apo shkrimtarja hipën e zbret nga podiumet e krekosur, kur ata që i kanë bërë kritikën me plot bujë, nën zë pëshpëritin “Më pagoi, ndaj ia bëra”. Këto raste tashmë janë kthyer në fenomen, ndaj duke u përballur me këtë realitet nuk pyes “Pse shkruaj”, por “Pse dreqin edhe unë shkruaj!”.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

Për ketë më së miri duhet hapur një anketë me lexuesit për ta marrë opinionin e tyre nëse unë jam apo jo i veçantë si shkrimtar. Përtej kësaj shakaje miqësore ju them me pak fjalë: Përpiqem të jem vetvetja në krijimtari dhe jo një kopjac.  Jam Odi, si më thërrasin miqtë e mi më parë në Shqipëri e tashmë në Kosove, Maqedoninë e Veriut, Ulqin e gjithë diasporën. Nuk jam në garë me të tjerët, por në garën e madhe për të ruajtur sa më të plotë pasurinë tonë: gjuhën shqipe.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

Shumë gjëra nga jeta jonë e përditshme. Tashmë, pasi kam shkelur gjithë trojet tona shqipfolëse, jam mësuar me traditat, zakonet, me huqet e mira dhe të këqija tonat si shqiptarë. Jam përpjekur të lëvrojë zhanre të ndryshme të krijimtarisë sa për fëmijë e të rritur, poezi dhe prozë, në dramë, komedi, në monodramë e deri në skenarë filmi. 

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

Çdo njeri në jetë ka të pathënat e tij, që mbeten brenda shpirtit dhe flenë për t’u zgjuar një ditë në faqet e një botimi. Nuk dua të bëj VIP-in, por do të shkruaj një ditë qetë-qetë rrugëtimin jetësor të Odiseut. Rrugëtimin tim, jo atë të Odiseut drejt Itakës.

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

I besoj muzës, e cila më mban të mbërthyer në çdo çast të ditës. Duke mos qenë natyrë hungëritëse me jetën, por me buzën në gaz, nuk gdhij natën për të gjetur një motiv, por gdhij natën për të biseduar me shkrimin e ri, që merr jetë edhe në mes të natës.

Sa jeni sistematik në të shkruar?

Duke qenë se më pëlqen të lëvrojë të gjitha gjinitë mbetem sistematik në të shkruar. Nuk janë të gjitha të arrira, por janë të lexueshme dhe të mirëpritura nga lexuesit. Tani e di çfarë pëlqen lexuesi. Poezitë e dashurisë janë bërë mantel ngrohtësie në shpirtin tim.

Në fillim isha unë i druajtur nga bashkëshortja, nga fëmijët, por ata të mësuar më parë me vargjet e poezisë sesa unë vetë, më kanë krijuar lirshmëri të trajtoj çdo detaj të dashurisë. Bile kur bashkëshortja nuk bëhej xheloze, miqtë e kolegët e mi shkrimtarë më trazonin me pyetjen “ Po gruaja t’i lexon këto poezi?”.

Kur nuk botoj në rrjetet sociale më vijnë mesazhet “A je mirë me shëndet?” që në të vërtetë nënkuptohet  pse nuk po shkruaj. Dhe kështu jam në një marrëdhënie me lexuesin tim që nuk dua ta braktisim njeri-tjetrin.

Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

Është gjëja më e bukur, që nuk do të pendohesha kurrë ta nisja e ta rinisja nga fillimi në çdo çast të jetës sime, në çdo kohë të frymës sime. Krijimtaria më ka pasuruar shpirtin dhe ndjej që miliona flutura gëzimi lëvrijnë në kraharorin tim sa herë që filloj ë shkruaj: “Na ishte një herë…”.

ObserverKult

Lexo edhe:

ODISE PLAKU: SI KJO DASHURI TI KURRË NUK DO TË GJESH
ODISE PLAKU: HESHTJA JOTE MË NDAL FRYMËN