Odise Plaku: Tirana ime

odise plaku nevojë
Odise Plaku

Nuk di nëse në ëndërr e kam parë ndonjëherë kështu Tiranën,
Me frymën mekur si në përpjekje të mbijetesës së përbotshme.
Kanë mbetur të pafrikësuar rrugëve vetëm qentë dhe macet,
Që dhe atyre nuk iu ndihet zëri as mjaullimë, as lehje.

Më duket si një qytet që jetën e ka mbjellë si zhardhok në fushë të ëndrrës,
Ku minuti merr peshën e vitit se pas orës 18:00 fillon shtetrrethimi.
Autobuzat zhduken në parking dhe gëzojnë që s’u rropatën rrugëve,
A nga dënglat e pasagjerëve nuk iu çorrën veshët nga polemikat me shoferin.

Nuk ka më besimtar as në kisha e në xhami nuk bëhen lutjet e përjavshme,
Hoxha dhe prifti këshillojnë lexim të biblës dhe kuranit, on line bëhet mësimi.
Bota ka shkalluar nga vdekjet si shpesët nga flama ikur befas me krahët mbledhur
Dhe qyteti im është futur në ujë si pantallonat që tashmë janë bërë treçerekëshe.