
Opera e Kosovës ka vënë në skenë operën “La Traviata”, të Xhuzepe Verdit.
Premiera u mbajt mbrëmë në Sallën e Sporteve “1 Tetori”, në Prishtinë dhe ishte produksioni i parë i “La Traviata” nga Opera e Kosovës.
Shfaqja u realizua në bashkëpunim me Operën Shtetërore bullgare të Stara Zagorës, Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë dhe Filarmoninë e Kosovës.
“S’kishte si të mbyllej më bukur ky vit i kulturës se me “La Traviatan” e Verdit, produksion i Operës së Kosovës, i një përmase të paprecedentë në historinë skenike të vendit tonë”, ka deklaruar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku.
Ministri Çeku falënderoi të gjithë ata që dhuruan emocion të papërshkrueshëm me këtë vepër.
Trupa përbëhej nga rreth 150 artistë e staf mbështetës, të cilët punuan nën konceptin regjisorial të Ognian Draganoffit. Dirigjent ishte Nayden Todorov, ndërsa në rolet kryesore interpretuan sopranoja Besa Llugiqi, tenori Emanuele D’Aguano dhe baritoni Gëzim Myshketa.


Lexo edhe:
“TRAVIATA” E VERDIT BËHET “FILM”, SAIMIR PIRGU NË ROLIN E ALFREDOS
Teatri i Operës në Romë krijoi operën “Traviata” të Xhuzepe Verdit, si një film. Në këto momente të vështira për artin kudo në botë, në shfaqjen e realizuar pa audiencë tenori shqiptar Saimir Pirgu interpretoi rolin e Alfredos.
Tenori shqiptar Saimir Pirgu i është bashkuar sërisht ‘Traviatës’ së Xhuzepe Verdi, kësaj here me koncept regjisorial të Mario Martone-s. “Që lindi në një teatër bosh, sepse për shkak të pandemisë gjendja e të gjithë teatrove kudo në botë për më shumë se një vit është dramatike”…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU