Ju ftojmë të ndiqni orën poetike “Pandemia na largoi, poezia na ofroi”, organizuar nga Shtëpia Botuese “Armagedoni” në kuadër të Panairit të librit të rrallë, të vjetër e të përdorur.
Aktori Bislim Muçaj interpreton vargje të poetëve: Xhevdet Bajraj, Adem Gashi, Salajdin Salihu, Emin Emini, Qibrije Demiri-Frangu, Bedri Zyberaj, Lulzim Tafa, Arif Molliqi, Lulëzim Etemaj, Shkëlzen Halimi, Pal Ndrecaj dhe Donika Dabishevci.
Deklamon: Bislim Muçaj
Sot është ditë e diel. Këtu ku jemi është holli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Biblioteka, për shkak të pandemisë, ua ka mbyllur dyert lexuesve për lexim dhe për shërbime, por ua ka mbajtur hapur librave të rinj dhe të vjetër gjatë gjithë kohës.
Për shkak të masave qeveritare, kufizimit të lëvizjes së njerëzve, pandemia na ka larguar nga njëri-tjetri disa muaj, por na ka ofruar me njëri-tjetrin poezia, arti i fjalës suaj, nga i cili thesar sot kemi përzgjedhur për lexim disa fjalë.
Padyshim se do të ndieja kënaqësi po sikur sot të ishit me mua në këtë hollë ta dëgjoni frymën time duke lexuar frymën tuaj. Po ashtu, do të ndihesha mirë po sikur edhe t’ju përshëndesja dorë me dorë e t’ju përgëzoja për krijimet artistike me shumë vlerë. Por, meqë jo sot, shpresoj shumë se do t’ju takoj e t’ju përshëndes në një të diel tjetër të afërt, pasi t’ia gjejmë ilaçin pandemisë e cila ka vështirësuar jetën dhe punën tonë.
Pandemia dhe poezia, që nga marsi, kanë qenë rivale me njëra-tjetrën. E para ua ka marrë jetën disa krijuesve tanë dhe të huaj, e dyta ka marrë motive të ndryshme për jetën nga e para.
Sa kam parë, dëgjuar dhe prekur me dorë, s’dyshoj se jemi bërë njerëz më të ndjeshëm, më njerëzorë dhe më lirikë në këtë vit.
Sot e duam jetën më shumë sesa që e donim në vitin e kaluar.
Sot e duam dhe kujdesemi për natyrën më shumë sesa që kujdeseshim vitin e kaluar.
Sot e duam dhe kujdesemi për njëri-tjetrin më shumë sesa që duheshim dhe kujdeseshim në vitin e kaluar.
Po kujdesemi për njëri-tjetrin sepse po mbajmë maskë, distancë fizike, higjienë.
Po shprehim respekt edhe për punën tuaj artistike sepse në këtë ditë të diel, kur edicioni i parë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur veç po mbyllet suksesshëm e me shumë aktivitete në Prishtinë, në kuadër të tij po i lexojmë 12 poezi të 12 autorëve shqiptarë, përzgjedhjen e të cilëve e ka bërë shtëpia botuese Armagedoni.
Dashamirë, m’i falni dhjetë-dymbëdhjetë minuta kohë.
1.
XHEVDET BAJRAJ
PARAMILITARI
Paramilitari pinte qumësht
nga gjiri i gruas që po e dhunonte
pak para se ta vriste
Një mizë e madhe sillej rreth kokës së saj
qielli së pari u rrëqeth pastaj u nxi
klithi
nisi të qajë me zë
Mbi tokë një lule
me fytyrë të bishës
filloi të buzëqeshë
Vdekja u rrit disa centimetra
2.
ADEM GASHI
DHIMBJA QË NUK KA EMËR
(Baladë për të Dhunuarat)
na shihni në sy dhe ju shohim
ju shohim përditë po jemi kaq të verbër
ah, ku të gjendet çelësi i Ferrit tuaj
një, dy, tre…
nëntë rrathë thellë në shpirtin e djegur
ju shohim e na shihni…
sekush tha: pudër e shkretëtirtë
ka rënë mbi dhimbjen, mbi buzëqeshjen,
mbi shpërfilljen tonë idiote e të shtirtë
bija, motra, gra, nëna
çudi si nuk pëlcet nga dhimbja juaj e paemër
edhe vetë Dielli, edhe vetë Hëna
një dolli helmi po e ngre me fund
zemërplasur, kaq mundem
se dhimbja juaj më shemb, më mund
3.
SALAJDIN SALIHU
GRUA E TRISHTUAR
o grua e brishtë
me sy të trishtuar
privuar nga çastet e trazuara
ngulfatur prej tmerreve
ke nevojë për puthje
e prekje
si çdo grua
parfumet tua më dehin
më ngjallin demonë të zi
më joshin drejt një honi të pafundmë
ku dua të bie verbuar nga çdo pamje
e botës së refreneve dhe kufizimeve
të kotnasikotshme
lërmë të mbytem në sekretet tua
o grua që si çdo grua
ke nevojë për puthje
e prekje
4.
EMIN EMINI
VIRANJA
ka kjen tepër e bukur viranja
pasha dy sytë e ballit
sytë e saj bojëbari të posakositun
me ba vaki veç nji herë me t’këqyr
t’i prejshin kambët ma zi se kosa e mixhës Din
tepër e bukur ka kjen viranja
pasha këta dy sy
sytë e saj kokrra rrushi të zi
nëse të kqyrnin veç nji herë
ta shtrydhnin shpirtin me mengele
derisa kokrrat baheshin gjak krishti
e t’i merrshin ment e të dehshin si nji derr
e bukur së tepërmi ka kjen viranja
pasha dy dritat e syve
sytë e saj bojëqjelle
veç nji herë me ba vaki vranët me t’këqyr
kambët e tua kurrë ma në tokë s’kan’ shkel
e tan’ jetën ki mbetun pezull
as i gjallë as i dekun
o tepër e bukur ka ken moira
5.
QIBRIJE DEMIRI FRANGU
IA PASHË MENDTË SI I DILNIN
(Një nëne në Bllacë, prill 1999)
Unë ia pashë mendtë si i dilnin
I fluturonin si zogj duke lëshuar krrokama ogurzeza
Duke hyrë nëpër retë ato humbnin si fjalë pa zë
Në formë kujtimesh me krahë
Në formë dhembjesh të ujëta
Në formë atdheu
Në formë shtëpie
Shpërndaheshin shesheve të qiellit
As Zoti nuk arrinte t’i kapte dot
Dëbohej gjithçka nga trupi e nga shpirti i saj
Vetëm furtunë frike e mbështillte
Unë e pashë si për çast i humbën sytë
Iu zbrazen nga bukuria
Sa të lumtur jeni ju që nuk e keni parë
Mendtë si fluturojnë, si humbin
Zoti e bekoftë atë NËNË!
6.
BEDRI ZYBERAJ
NË KRAHË TË FATIT
Koha
Përherë vëngër shikuar më ka
Me kënaqësitë e vuajtjeve më ka mëkuar përherë
Me majë heshte e teh shpate më ka ledhatuar
Etjes sime
Me zjarr topash i ka dhënë fund
Fati
Aleati im i përhershëm
Përherë rojtar
I përjetshëm
7.
LULZIM TAFA
PARALAJMËRIM PËR ATA QË DO T’IU VDESË NANA
Në ditën e katërqind e pestë të vdekjes së nanës
Të vjen mbi krye njëfarë vranësie si hije
Si dhimbje e ranë
Një terr syve iu bie
Si dita pa diell
Si nata pa hanë
Në ditën e katërqind e pestë kur mbetesh pa nanë
Në ditën e katërqind e gjashtë, të shtatë
Dhe çdo ditë pas saj
Terri syve
Vranësia si hije
Si dhimbje e ranë
Nuk shkon t’u u pakue
Shkon t’u u shtue
N’mall e n’shpirt përvlue
Dhe pastaj përgjithmonë pa nanë
Dita ish pa diell
Nata ish pa hanë
8.
ARIF MOLLIQI
MË NGJAN SE ATA UDHËTOJNË PA E DITUR FUNDIN
hip çdo mëngjes në autobus
aty njerëzit lëkunden e lëkunden
më ngjan se udhëtojnë krejt bashkë
pa e ditur fundin
në fytyrat e tyre s’ka lumturi
duket se vjedhur dikush ua ka
edhe dëshirën për të jetuar më
çdo mëngjes
ç’është e vërteta
i trembur vrapoj drejt autobusit
vrapoj si një brejtës i keq
gërryej me këmbë e duar
kohën që më ka mbetur
pa ia ditur fundin
9.
PAL NDRECAJ
NË SHTËPINË E LINDJES NË MOGLICË
Në mendjen time u skalite si hartë
që vizatohet lirshëm pas pushtimit total
i ftoj të negociojmë që t’m’i lehtësojnë barrët
kaçakët tu që rrinë fshehur n’mal
Ti çlodhu ndërkohë këtu në mes t’oborrit
unë nën hijen tënde po e marr një sy gjumë
dhe mos u shpërngul prapë në fund të shtatorit
mos eja pas meje sapo të nisem unë
Prej rrugës së largët erdha këtu të të sjell
t’më thotë Martin Gjoka: Ta rrittë Zoti nerën
se stinës që korr dhe asaj që mbjell
një kosh i hapur ua mat vlerën
10.
LULËZIM ETEMAJ
OKSIGJEN
Sot, në Kosovë,
edhe tridhjetë e një me Covid-19
Dy i mbyllën sytë e ikën për atë botë herët
Si ata dy dje vonë
Edhe këta dy do të përcillen në varre nga katër familjarë
Pa hoxhë e pa prift
Për të mbetur gjallë s’u bëri punë as ajri i paguar me para
As ai që marrim falas njëzetekatër orë
këtë herë në karantinën e pandemisë
që, megjithatë, është më zemërgjerë se e Evropës
11.
SHKËLZEN HALIMI
QESE NAJLONI
I futi në qese të zezë najloni
një nga një
ëndrrat
kujtimet
portretet e vdekura
varur në murin e dhembjes
protezat
ilaçet për gjumë
pastaj armët
orën e kohës
fjalën e pathënë
pasqyrën bashkë me pamjet e ngatërruara
dhe fëmijërinë e harruar
në lodrat prej letre
dhe krejt në fund
edhe veten
Ishte një ditë e zakonshme
me një lajm për vetëvrasje
pa bujë
12.
DONIKA DABISHEVCI
N’BESË
Besën po ta jap
ty burrë mizor:
Kam me t’dashtë
si bukën e nanës,
si t’ngrohtit e diellit,
si dritën e hanës
Po, edhe kam me t’urrejtë.
Krejt pezmin e jetës
n’ty kam me e kthy
e tërbueme,
hienë,
kam me t’thy,
kam me t’çky.
Si pickojë malarie
nër lkurë kam me t’hi,
kam me i lshu larvat
e me t’helmu
me t’qitë përpara
e me t’përla,
copa-copash pa mshirë
me t’zhba
Kam me t’ba me dashtë jetën,
Kam me t’ba me pa dekën.
Hajde,
n’besë tem!