Orët e fundit të Njeriut prej Bore

Vangjush Saro

Nga Vangjush Saro

(Fragment nga tregimi me të njëjtin titull)

Kishin ikur fëmijet dhe ishin rralluar kalimtarët. Por Njeriu prej Bore vazhdonte të shante e të mburrej, anipse tani askush nuk ia hidhte më sytë.

“Hajde, hajdeni, ku u futët, lëshojini komplimentet, s’ka problem, jam mësuar me fansa unë…”

Më në fund, u shfaq një ketër, që vinte anës e kërcente duke u lëkundur, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm ata. Në një çast, pa pyetur fare për britmat e tjetrit, ketri rrëmbeu nga xhaketa e tij njërin nga kikirikët-kopsa dhe mandej u ngjit me shpejtësi në bredhin më të afërt.

-Ore ti! Si guxoi ky? Kapeni! Kapeni po ju them! Unë jam ai, i shkëlqyeri…Por nuk nxitoi askush të merrej me ketrin. Mirë gjer këtu; por pas tij, i ra rruga andej një sorre. Ajo qëndroi një copë herë mbi kokën e Njeriut prej Bore dhe zuri të çukiste.

-Po kjo? Çfarë bën ti, moj e marrë? E di me kë ke të bësh? Me atë më të ndritshmin… Ma hiqni, more, që këtej! Askush nuk u ngut ta trembte sorrën prej andej. Pasi ia trazoi mirë e mirë kapuçin, krahët prej kleçkash, por nuk gjeti asgjë për të ngrënë, ajo iku vetë. Jo për gjë, por ishte duke u ngrysur, po vinte ora për një dremkë. Pastaj, filloi të rigonte edhe nga pak shi. Heshtazi. Duke u përzier e bërë llohë me dëborën.

Kështu, pak e nga pak, bota do të binte në gjumë. Por nuk qe e thënë të mbyllej me kaq e në paqe kjo histori. Shumë shpejt mbërritën në atë cep rruge nja dy rakunë të urritur. Ata, pa e bërë të gjatë, u hodhën dhe rrëmbyen hundën e njeriut prej bore. Domethënë… karrotën.

– Oh, ç’më gjeti mua! Ç’ishin këta, more! Çfarë po ndodh këtu? Dikush të më mbrojë…Një makinë shkoi andej pak rrëmbyeshëm. Rrotat e saj hodhën përmbi Njeriun prej Bore një shkulm llohe. Njëri nga krahët (kleçkat) ra përtokë.

Me sa dukej, punët po shkonin keq edhe më keq. Shiu vazhdonte. Dëbora do të shkrinte pak e nga pak. Dhe Njeriu prej Bore nuk kishte më asnjë frymëzim për të shpërndarë britma e mburrje… Atij i vinte gjumë. Por nuk flinte dot. Një makinë e dytë i hodhi në fytyrë një shkulm tjetër llohe… Donte të fliste, por nuk fliste dot. Filloi të shkrinte. Me pak fjalë, të qante… Nuk do ta ndihmonin lotët. Ashtu duke qarë, diku do të fluturonte, mbase lart në qiell, për t’u kthyer sërish në një kohë tjetër, me pamje tjetër, ndoshta edhe me mendje tjetër… Krijesa e brishtë prej bore.

ObserverKult

Lexo edhe:

MIDHAT FRASHËRI: TË FALEM TY, O E DASHURA IME!