Organizohet ceremonia e çmimit letrar “Beqir Musliu”, ja deri kur mund të aplikoni

Beqir Musliu

Kohë më parë, Zyra e kryetarit të komunës së Gjilanit dhe Ars Clubi “Beqir Musliu”, nënshkruan një Marrëveshje mirëkuptimi për organizimin e përzgjedhjes dhe dhënies së Çmimit të përvitshëm letrar, “Beqir Musliu”, përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, dhe ate, në prag të Festave të Nëntorit e, në kuadër të Manifestimit tradicional kulturor, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, edicioni i trembëdhjetë, që tashmë veç ka filluar.

Nga sot e deri më 15 nëntor 2022, organizatori i këtij Çmimi, ftoi dhe mirëpret propozimet meritore nga ana e subjekteve letrare, institucioneve bibliotekare dhe shoqatave të shkrimtarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, po dhe trevave tjera shqiptare të Ballkanit dhe, mërgatës sonë, për këtë Çmim letrar, i cili vlerëson dhe shpërblen arritjet letrare, prurjet e reja në letërsi si dhe rrumbullakësimin e një karriere letrare.

Sipas organizatorit propozimet duhet të jenë në përputhje me Rregulloren e këtij Çmimi letrar, të miratuar nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit si dhe të shoqërohen me:

-një biografi të plotë të jetës dhe krijimtarisë letrare të të propozuarit (nominuarit),

-me një arsyetim argumentues dhe përmbledhës për vlerat letrare, prurjet e reja në letërsi dhe veçantitë krijuese të të propozuarit (nominuarit)

-si dhe me nga një kopje të veprave apo kompletit të veprave të të propozuarit (nominuarit)

Të gjitha propozimet mund të adresohen përmes postës ose dhe drejtëpërdrejtë në Bibliotekën e Qytetit “Fan S.Noli” si dhe në faqen e Ars Clubi “Beqir Musliu” Gjilan në Facebook, po edhe në adresën elektronike të editorit të Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemit, ([email protected]), më së voni deri më 15 nëntor 2022, ora 24.00.

Sipas organziatorit propozimet e pakompletuara dhe që nuk i përmbushin kriteret e kërkuara me rregulloren e këtij Çmimi, nuk merren parasysh.

Siç bëhet e ditur, një juri profesionale, do t’i shqyrtojë propozimet e arritura dhe do ta komunikojë emrin e fituesit, si rëndom, pak ditë para ceremonisë së dhënies së këtij Çmimi e që është paraparë të mbahet më 26 nëntor 2022.

Çmimin letrar e jep kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nën përkujdesjen e të cilit edhe mbahet ceremonia.

ObserverKult


Lexo edhe:

INTERVISTA E FUNDIT E BEQIR MUSLIUT: IMZOT, A TË MJAFTON KY FLIJIM!?