Oscar Milosz: Sepse kam frikë, se kam frikë nga kthimi

Poezi nga Oscar Milosz

-Dhe sidomos që e Nesërmja ku jam të mos e dijë-
Pyjet janë plot me kokrra të zeza, pyjet-
Zëri yt është si një tingull hëne në pusin e vjetër
Ku jehona, jehona e qershorit vjen të pijë.

Dhe që asnjë të mos thotë emrin tim atje poshtë, në ëndërr,
Kohërat, kohërat krejt janë përmbushur-
Si një dru i vogël që vuan kur ndjen limfën e parë
Është bardhësia jote në petka pa zhubër.

Dhe që rrënojat sërish prapa nesh të mbyllen,
Sepse kam frikë, se kam frikë nga kthimi.
Lulet e mëdha bardhoshe t’i ledhatojnë gjunjët e ëmbël
Dhe hija, hija është e zbehtë nga dashuria.

Dhe mos i thuaj ujit të pyllit kush jam unë;
Emri im, emri im është kaq i vdekur.
Sytë e tu kanë ngjyrën e shirave të rinj,
Të shirave të rinj mbi pellgun e fjetur.

Dhe mos i thuaj gjë erës së varrezës së moçme.
Ajo mund të më japë urdhër pas t’i shkoj.
Floknaja jote mban erë vere, hëne dhe toke.
Duhet të jetoj, të jetoj, veçse të jetoj...

Përktheu: Zimo Krutaj

*Titulli i origjinalit: “Dhe sidomos që…”

——————–

Lexo edhe:


SABRI HAMITI: VAJI PËR PRISHTINËN