Sabri Hamiti: Vaji për Prishtinën

sabri hamiti nanës

Nga Sabri Hamiti

Duke shtrydhur shpirtin derdh lot në Luarë
Për të dhënë shenjë që ende jam gjallë
Po Luara e rebeluar si një lumë i ndytë
Nuk i do lotët kujtimet do të m’i mbytë
Jam poet i vrarë i ndjekur nga egërsirat
Me trupin një varr të shkrimtarit të huaj

Sy të bukur sy të trishtuar shikojnë qiellin
Trupa fëmijësh ngrohin tokën e zezë ngrirë
Gjaku i djemve shkruan hartën në borë malesh
Trenat si gjarpëra të zi zhagiten kah jugu
Mbas tyre pëllasin lopët e çmendura
Duke kërkuar frymën e gjallë të njeriut
Mbi shtretër nëpër dhoma kalurojnë qentë
Mbi shqiponja të plaguara korbat fluturojnë
Duke kërkuar një copë zemre të njeriut

“Zemrën mos ma lypni bishat ma kanë ngrënë”
O zot nëse e humb Prishtinën bëhem asgjë
Një kufomë e gjallë e shkrimtarit të huaj

Kush do t’i krehë malet kush i pajton rrugët
Fshehtësitë e shtëpive kush i pëshpërit
Në netët e tmerrit kur veriu i rrëzon lisat
Në kënde të frikës kush i ngushëllon fëmijët
O zot pa Prishtinën jam veç një i marrë
Me zemër plagosur si lule si varrë

Kam mbetur pa motrën që përbin fushat
Me krah të hapur se thotë: po pres
Kam mbetur pa vëllanë që kaluron malet
Që pi ujë në Dri e thërret: po vdes
O sy të tmerruar ju patë veç një plak
Krejt të vetmuar kur e vunë në lak
O vesh të shurdhuar ju dëgjuat një vashë
Me shpirt të dhunuar kur u mbyt në Dri
O gishtërinj të dridhur ju prekët një fëmijë
Me nënën e vdekur që e ruan përbri

Atje maska të zeza e mace të zeza
Vrasin me shikime zogjët në degë
Presin të sundojë heshtja dhe uria
Hekurat e rëndë kafshojnë trotuaret
Në sheshin e madh ngrehin krye varret
Nuk ia kanë frikën territ as stuhisë
I çmend e i mbyt qeshja e fëmijës

Një ylber i lodhur që lidh dy humnera
A do të ketë forcë të shkojë kah pranvera
Apo qielli i plasur do të bjerë si shkumë
Rënkimin e dheut ta vërë në gjumë

Si djersët e shpirtit derdh lot në lumë
Për të dhënë shenjë që ende jam gjallë
Po Luara e rebeluar si një lum i ndytë
Nuk i do lotët kujtimet do të m’i mbytë.

(Shkëputur nga libri i Sabri Hamitit ‘Vepra letrare 3’ Poezi)

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

“SAJA FLUTURUESE” E AVNI DEHARIT FITON ÇMIMIN “YMER ELSHANI”

Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” në takimin përmbyllës XXIV, që u mbajt së fundmi në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, e shpërbleu librin “Saja fluturuese” të autorit Avni Dehari me çmimin “Ymer Elshani” për librin më të mirë për fëmijë të botuar ndërmjet dy karvanëve.

Lajmin e ka bërë me dije vet autori avni Dehari në llogarinë e tij Facebook.

Libri “Saja fluturuese”, me ngjarjen që trajton, i këshillon të vegjlit që në abetare ta përvetësojnë shkrim-leximin ‒ çelësin magjik, me të cilin hapet dera e botës së mrekullive të dijes.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult