Ovidi Montljor: Ti e di, me gëneshtra i bëj qejfin vetes…

mihallaq qileri hamit taka jorgo bllaci

E dashur Antonia:
të shkruaj që këndej,
shumë larg prej shtëpisë
Shiu qull ngadalë
qelqet e papastra
të barit të huaj,
ku unë rri e pres
një gotë me verë
dhe një copë gënjeshtër.
Tjetër s’kam se ç’bëj.
Ti e di, me gënjeshtra
i bëj qejfin vetes
dhe vazhdoj të rroj,
dhe vazhdoj të pres,
dhe vazhdoj të dua.

Po të nis paratë
ashtu si çdo muaj.
Hë për hë s’ka shtesë,
po mos u mërzit.
Mbajta pak për vete,
sa të ble një pallto:
pa trupin tënd dimri
është dhe më i ashpër.

Thonë të më kalojnë
në një sektor të mirë
dhe, në dashtë zoti,
do të gjejmë shtëpi
të vish ti dhe çupa,
Shoku i dhomës sime
është sëmurë nga gripi,
po sikur …sa zi…
dimër gjithsesi.
Ka më se një javë
që pres letrën tënde.
Mos jeni sëmurë?
Ta dish ç’më merr malli
kaq larg prej shtëpisë!

Mot ndoshta do mundim
ta blemë një makinë
(e pse mos ta blemë?)
dhe çupës t’i gjejmë
një shkollë pa pagesë
dhe para të kemi
sa për të mos qarë.
Natyrisht, të gjitha,
e di, larg shtëpisë.
Ja që as me verën
që kam vënë përpara
s’u harroka lehtë…

Bie shi, Antonia.
Nesër është e diel
dhe s’do të dalim bashkë
nëpër shesh të fshatit.
Të fala
          Të puth.
Më shkruaj më shpesh.

Përktheu: Aurel Plasari

*Titulli i origjinalit: Letër në shtëpi