Pablo Neruda: Kam fjetë me ty

pablo neruda

Poezi nga Pablo Neruda

Tan natën e lume kam fjetë me ty
diku n’detë buz’ nji ishulli
ti m’faniteshe sa e egër aq e ambël
njatje midis dalldisë dhe gjumit
njatje midis zjarrmit dhe ujit.

Ndoshta tejet vonë andrrat tona
u përputhën naltësish
o thellësive
Naltsish – njashtu si degët hepohen
prej erës vetë,
e n’të thellë si rranjtë e kuqe
ndërthuren mes tyne.

Ndoshta andrra jote
asht nda me temen
prej territ të detit
ndoshta t’ka lypë edhe ma parë
kur ti s’ishe kërkund,
e kur papritë e pakujtue
lundroja bri teje
jotja ka kërkue njat që tash asht
bukë, venë, dashni e mëni
që t’i jap me duer t’mbushme plot.
Pse ti ishe njajo kupa
n’pritje darovash t’jetës seme.

Kam fjetë me ty tan natën e lume
kur tokë e zymtë vërtitesh
me t’gjallë e t’vdekun,
kur befas jam zgjue
midis hijesh
e kam gjet krahun tim
rrethekue brezit tand
e mandej as nata
e as gjumi
s’kan mujtë me na nda.

Kam fjetë në ty,
e tuj u zgjue prej buzve tua
t’posadala gjumi
m’ke dhurue shijen e tokës
t’ujnave të detit
e t’algave,
e prej thellsive t’shpirtit tand
ta kam zhgulë njat puthje
t’spërkatun n’drit agu
derdhun prej njatij deti
që rrethue gjithkah na ka.

Përktheu: Jozef Radi

ObserverKult

Lexo edhe:

TË DUA KUR TI HESHT, SIKUR MË ZHDUKESH FARE… POEZI NGA PABLO NERUDA