Nga Kliton Nesturi
Jeta është e thjeshtë. Ajo është një rrugëtim, ku secili njeri që lind, pa dallim race, seksi apo shtrese shoqërore, përpiqet të lërë gjurmët e tij. Gjithsekush ka të drejtë të jape kontributin dhe të thotë fjalën e vet, aq më tepër sot në një shoqëri ku zhvillimet globale kanë bërë të mundur dendësinë e komunikimit dhe kontakteve mes njerëzve, grupeve të interesit, kompanive dhe trusteve, duke rendur drejt zhvillimeve gjithnjë e më të mëdha.
Gjatë rrugëtimit të tij, për çdo kënd jeta është fat, sidomos kur ajo shtrihet mes dy epokave të ndryshme historike, mes dy shekujve, apo edhe më rrallë, mes dy mijëvjeçarëve. Kjo shtrirje arrin të krijojë koleksion më të pasur të jetës së individit, pasi ajo shrihet dhe pasurohet në dimensione të ndryshme.
Këto mendime janë të parat që më përvijohen, tek sa kam përfunduar së lexuari librin e Dhimitër Gjokës “Udhëtim mes yjesh”.
Dhimitër Gjokën, ashtu si edhe shumë të tjerë, e njoh qysh në vitet ‘80 dhe e ndiqja në ekranin e Televizionit Shqiptar, si spiker lajmesh, prezantues festivalesh e koncertesh, apo edhe regjisor i emisioneve të ndryshme që transmetoheshin atëherë. Për herë të parë, me të jam ndeshur në në Himarë, gjatë pushime verore, në fillim të viteve ’80. Ndjeva një kënaqësi të papërshkruar tek sa shihja nga afër këtë njeri publik, i cili si edhe shumë artistë apo njerëz të dukshëm të ekranit, qe bërë mjaft i dashur për shqiptarët. Por vëtëm kaq, sa i përket asaj kohe. Nuk iu afrova që ta takoja dhe as ta përshëndesja. Isha mësuar që yjet t’i adhuroja nga larg.
Me Dhimitër Gjokën pata fatin të njihesha nga afër në vitin 1997, kur unë fillova në Televizionin Shqiptar. Ishin dokumentarët, portretet dhe emisionet e kulturës, ato që na lidhën më së shumti. Gjatë asaj periudhe të rëndësishme pashë tek ai një profesionist të përkushtuar ndaj punës dhe pasionit me të cilin të mbërthen shpesh televizioni, një koleg i cili qe gjithnjë i gatshëm të ndihmonte me përvojën e tij të gjithë ata që i drejtoheshin për një fjalë apo mendim, pa pyetur për moshën dhe përvojën. E rëndësishme për të, qe që gjithçka në punë të shkonte sa më mirë e që gjithkush të ndihej sa më i plotë në atë që bënte. Në këtë mënyrë ai përcillte dashuri dhe energji pozitive me të gjithë. Kjo ishte edhe tradita që ishte krijuar në vite në Radio Televizonin Shqiptar, dhe ky personalitet tashmë emblematik, për çdo ditë e më shumë dëshmonte se ishte një vazhdues i denjë i asaj çka patën krijuar të tjerët më herët.
I shkruajta këto rradhë më lart jo për të folur për veten, por për të qenë korrekt me atë që njoh, di dhe kam parë. Rrëfimet e Dhimitër Gjokës në librin e tij “Udhëtim mes yjesh” nuk janë thjesht histori personale. Në to është pesha dhe aroma e epokave historike, e traditës familjare shqiptare, e zhvillimeve sociale, rimëkëmbjes shpirtërore dhe intelektuale, bashkëekzistenca dhe përplasja e mentaliteteve, kapja e ëndërrave, shndërrimi i tyre në qëllim dhe përshkimi i hapësirave dhe dimensioneve të reja.
Në rreshtat dhe faqet e këtij libri, takohen dhimbjet dhe sukseset, zhgënjimet dhe dashuritë, nderimi dhe respekti, mirënjohjet por edhe refleksionet. Në asnjë rresht apo faqe nuk ka mllefe apo inate, ashtu siç rëndom ndodh kur njerëzit shkruajnë kujtimet e tyre. Dhimitër Gjoka është një djalë nga bregdeti dhe si i tillë ka brenda shpirtit të tij bukurinë, pastërtinë dhe thellësinë e detit Jon. Deviza e tij, ka qenë dhe mbetet gjithmonë: “Në këtë jetë duhet të falim vetëm përkushtim dhe dashuri”, ndaj edhe “Udhëtim mes yjesh” është një libër i sinqertë, një libër për përkushtimin, një libër dashurie. /ObserverKult