Pamje të rralla, si festohej Viti i Ri në Shqipëri gjatë diktaturës (foto)

Viti i Ri ishte festa që e prisnin të gjithë. Në Shqipërinë e varfër të diktaturës, dukej sikur atë natë harroheshin të gjitha.

Në shtëpi apo në lokal, kjo ka qenë dilema e shqiptarëve për natën e ndërrimit të moteve edhe gjatë kohës së diktaturës.

Preferenca për ta kaluar natën e Vitit të Ri në një vend publik me shoqëri, orkestër, muzikë e vallëzim, ka filluar para viteve ’50, duke u intensifikuar në vitet ’60, e më tej, sidomos në vitet ’80.

Në shumë qytete të Shqipërisë, por veçanërisht në Tiranë, ka qenë ndryshe. Kryesisht Viti i Ri festohej në Kursalin e famshëm në qendër, sallat gjigante të “Hotel Dajtit” apo në “Vollga”, të cilat natën e Vitit të Ri mbusheshin me pushtetarë, zyrtarë të lartë, artistë e sportistë të njohur me familjet e tyre. Por edhe me shumë të huaj, marinarë, studentë dhe kryesisht punonjësit e ambasadave, të cilët kanë kënduar e vallëzuar çdo lloj muzike deri në agim.

Mbrëmja festive fillonte në orën 21:00. Çmimi varionte nga 600 lekë personi dhe 1200 lekë çifti te 15-katëshi, për të zbritur në 450 lekë te të tjerat me një meny me të zakonshmet: Antipasta, pastaj pulë ose pilaf me gjel, bërxollë me patate, një shishe verë, birrë ose raki dhe ëmbëlsira në fund.

Cigarja pihej në pafundësi, nuk kishte këngëtarë, por mund të këndonin këngëtarë që ishin në lokal me familjet e tyre.

Në orën 00:00 fikeshin dritat, përplaseshin gotat dhe një puthje në faqe, pastaj dalja jashtë për të parë fishekzjarrët.

Më pas, organizoheshin edhe lojëra-lotari me prezantues aktorë të njohur, si Vilson Gjoncaj, me të cilat fituesit merrnin një dhuratë nga organizatorët.

Qëndrimi në restorant vazhdonte thuajse deri në orët e para të mëngjesit, pasi nuk kishte kufi apo limit kohe.

Edhe në Shkodër te “Hotel Rozafa”, apo në plazh si tek “Adriatiku”, ashtu edhe te “Kruja”, “Butrinti”, ndodhte e njëjta gjë.

ObserverKult

LEXO EDHE:

FOTOGRAFITË E VJETRA TË REALIZUARA NGA USHTARAKU ANGLEZ NË SHQIPËRI

ObserverKult