Pas 3 sezonesh, kur rasti i këngëtarit të muzikës popullore, Seit Hysa u trajtua në emisionin investigativ ‘Pa Gjurmë’ në Report TV, mbërrin një telefonatë nga një banor i fshatit Vajzë, të qytetit të Vlorës.
Pasi kishte parë publikimin e pasaportës televizive të Seit Hysës, dëshmitari pretendon se e kishte takuar 70-vjeçarin, në një stan majë kodrës, ku punonte si bari.
Stafi udhëtoi drejt fshatit Vajzë, ku u takua jo vetëm me dëshmitarin por edhe me banorë të zonës. Ata dhanë mjaft detaje të bariut anonim, informacione që përkonin dhe me të dhënat reale të të humburit Seitit Hysa.
“Unë kam vite që e kam parë në fshatin tim. Ai është i moshuar dhe mund të jetë rreth 70 vjeç. Ka probleme me shëndetin mendor. Njëherë tregon se quhet Thoma, një herë tjetër shqipton një emër tjetër. Ai më ka treguar se vendlindjen e ka në Berat dhe se është nga Lapardhaja, madje është i divorcuar”.
Gazetari Freard Rista i tregon foton e Seit Hysës, ndërsa fillimisht has vështirësi për ta identifikuar, por më pas dëshmitari pohon se ngjan nga sytë.
“Ky mavria është mo ky. Tek sytë ngjan shumë. Unë jam i sigurt që është ai. Atë e mban peng pronari dhe ai e shfrytëzon për punët e blegtorisë. Më vjen keq që këtu në fshat kemi një bari të paidentifikuar, ndaj u lidha me emisioni ‘Pa Gjurmë’”.
Stafi i Report Tv qëndroi me orë të tëra në kodrat e fshatit, derisa mbërriti i moshuari, i cili pranoi të fliste dhe gjatë intervistës dha të tjera të dhëna për veten e tij.
“Unë quhem Myqerem Pasha me dokument. Jam nga një fshat i Fierit. Punoj këtu dhe nuk kam kontakte me familjen, as me një prej tyre. Me gruan jam ndarë prej vitesh me gjyq”.
Teksa gazetari i tregon foton e Seit Hysës, ai e mohon të jetë vetë ai. Pas shumë pyetjeve, i moshuari që shfaq edhe probleme të shëndetit mendor këmbëngul që quhet Myqerem dhe se ka bërë shaka me banorët e zonës që ka thënë se quhej Thoma.
Intervistën e ndoqi “live” nga studio, Nikolin Hysa, vëllai i Seit Hysës. I emocionuar dhe i shtangur, ai nuk arriti dot ta njohë, nëse ishte Seiti apo kishim të bënim me një person tjetër.
“Nuk di çfarë të them. Unë pas kaq vitesh nuk e njoh më vëllain tim. E pashë me vëmendje videon, më duket si ai. Disa të dhëna përkojnë, disa jo. Nuk di çfarë të them, ai mund të ketë përfunduar vërtetë kështu pas 11-vitesh zhdukje. Unë dua të denoncoj, personin që e mban dhe e shfrytëzon. Edhe nëse nuk është vëllai im, është një tjetër i humbur fatkeq”.
Moderatorja e programit, Odeta Dume, i bëri thirrje publikut për ndihmë. Kush e njeh këtë person është i lutur të lidhet me ‘Pa Gjurmë’. Misioni do vazhdojë, pasi stafi do të udhëtojë sërish drejt fshatit Vajzë, por këtë herë të shoqëruar edhe nga vëllai i të humburit.