reklamë

Panairi i Librit Shqip “Shkupi 2026”/ U ndan çmimet- këta janë fituesit

Panairi i Librit Shqip “Shkupi 2026”, i cili u zhvillua nga data 4-7 qershor në sheshin “Skënderbeu” të Shkupit, u shndërrua në qendrën e librit dhe kulturës shqiptare.

Panairi mblodhi dhjetëra shtëpi botuese, autorë, studiues dhe dashamirës të librit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Gjatë katër ditëve u zhvilluan promovime librash, bashkëbisedime letrare, aktivitete kulturore dhe takime me emra të njohur të letërsisë shqipe.

Në një atmosferë festive u ndanë çmimet vlerësuese të Panairit të Librit Shqip “Shkupi 2026”, ku çmimi “Proza më e mirë – 2025” iu dha shkrimtarit Namik Dokle, për romanin “Asnjë trokitje në qiell” (Botimet Toena).

Çmimi “Poezia më e mirë – 2025” iu dha poetit Resul Shabani për vëllimin poetik “Ëndërr e falur” (Botimet Onufri).

Çmimi “Studimi më i mirë – 2025” iu dha studiuesit Kujtim Shala për “Epi i shqiptarëve” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë).

Çmimi “Përkthimi më i mirë – 2025” iu dha përkthyeses Ana Kove për përkthimin e veprës së Herman Hesse në gjuhën shqipe (Botimet Dukagjini).

Çmimi “Libri më i mirë për fëmijë” iu dha shkrimtares Rovena Rrozhani për librin “Sekreti i fshehur në libra” (Botimet Mediaprint).

“Çmimi i karrierës” iu dha shkrimtarit & botuesit Abdullah Zeneli.

“Çmimi special” iu dha poetes Linditë Ahmeti (pas vdekjes).

Juria e këtij edicioni përbëhej nga akademiku Ali Aliu, Arta Marku dhe Behar Gjoka./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

“Memoriali Përkujtimor Adem Jashari”/ Përparim Rama: Zëri i komandantit do kumbojë në zemër të Kosovës