Konsideruar si ngjarja më e rëndësishme e vitit, Panairi i 22-të i Librit “Tirana 2019” çel siparin e aktiviteteve prej 13 nëntorit, me ceremoninë e hapjes së këtij edicioni.
Panairi ngre nesër siparin në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në orën 9:00. Për 5 ditë, 100 ekspozues, ndër të cilët botues, institucione kulturore e përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, do të mund të njohin lexuesin me prurjet e fundit të librit.
Nuk do të mungojnë as përfaqësuesit e huaj që jetojnë në Shqipëri e që janë të lidhur me fushën e librit e të kulturës.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, bëri dje me dije se krahas 80 promovimeve, gjatë këtij panairi do të ketë edhe shumë aktivitete që kanë të bëjnë me botimin, përkthimin, si dhe njohjen e kulturës ballkanike e europiane në Shqipëri.
“Të gjithë botuesit janë të përgatitur, autorët kanë shprehur entuziazëm e përkthyesit po ashtu. Sepse, kjo është një mënyrë e mirë që ata të evidentojnë punën e tyre 1-vjeçare. Ne kërkojmë që t’i orientojmë lexuesit, që ata të dinë se çfarë të kërkojnë në panair. Sepse, është e qartë, mbreti i panairit është lexuesi, ndërsa ne jemi aktorët e synimi ynë është që në fund, lexuesit të mbeten të kënaqur”, tha Ymeri.
Për sa i përket jurisë që do të përzgjedhë botimet më të mira për këtë vit, botuesi tha se prej dy muajsh po punohet në këtë drejtim. Ndërkohë që u zbuluan dje edhe disa nga tematikat që do të diskutohen gjatë ceremonisë së çeljes së Panairit të Librit (në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve, ora 11:00), që lidhet me hapat përparimtarë të editorisë, në raport me institucionet shtetërore.
“Ne jemi disa hapa më përpara, duke nisur nga cilësia e punës, marrëdhënia me kulturën evropiane etj. Mirëpo, përballemi me një indiferencë të dukshme të institucioneve shtetërore, kur vjen fjala për të ndihmuar sistemin libror në Shqipëri”, u shpreh Ymeri.
Kryetari i shoqatës së botuesve ndali gjithashtu te problematikat e shumëdiskutuara lidhur me funksionimin e sistemit bibliotekar. Ai u shpreh se gjatë viteve të fundit, ky sistem, veçanërisht për sa u përket bibliotekave publike, nuk ka marrë vëmendjen e merituar, madje është neglizhuar më shumë se vitet e mëparshme.
Në këtë edicion të 22-të të panairit, siç Ymeri tregon, përkthimet kanë marrë vëmendjen maksimale të botuesve.
“Kemi bërë të mundur përkthimin dhe botimin e kryeveprave të letërsisë europiane dhe asaj ballkanike, të cilën për arsye politike, kulturore por edhe mangësive të tjera, nuk e kemi njohur siç duhet”, tha botuesi.
Për të pasionuarit e letërsisë triler, gjatë këtij panairi nuk do të mungojnë diskutimet edhe rreth këtij zhanri.
Tema “A është letërsia triler një risi tek ne, apo trend që vjen nga letërsia europiane?”, fton lexues, përkthyes e autor në një tryezë të përbashkët, ku do të shkëmbehen ide. Sipas Ymerit, Panairi i 22- të i Librit, me të cilin lexuesi do të përballet këtë vit është krahasueshëm me panairet ndërkombëtare. Panairi do të jetë i hapur për vizitorët çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 21:00.
Në datën 16 nëntor, në sallën ovale, ora 12:00 do të bëhet edhe ndarja e çmimeve, ndërsa të dielën që është edhe dita e fundit për këtë edicion të 22-të, panairi do të ulë siparin një orë më herët.