Panairi i Tiranës hapet me thirrjen për heqjen e taksës mbi librin

Vizitorë të shumtë kanë mësyrë stendat e librave pavarësisht se viti 2019 nuk ka nisur mbarë për botuesit. Tarifa e re, çmimet e larta të librit dhe fondet e kufizuara të Ministrisë së Kulturës në Tiranë kanë qenë kryefjalë në vendtakimin tradicional mes botuesve dhe lexuesve.

Të mërkurën, edicioni i 22-të i Panairit të Librit “Tirana 2019” ka hapur siparin në Pallatin e Kongreseve ku rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të shpalosin për pesë ditë prurjet më të reja nga botimet shqipe.

Në ceremoninë e hapjes të mbajtur në sallën ovale, organizatorët kanë bërë me dije agjendën e Panairit, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 17 nëntor.

Shkrimtarë, krijues e përkthyes do të marrin pjesë në rreth 100 veprimtari të ndryshme, nga promovimet e titujve të rinj e deri te një seminar për përkthimin e letërsisë evropiane. Edhe një nga shkrimtarët më të njohur sllovenë, Drago Jançar, do të jetë mysafir në njërin nga aktivitetet e këtij panairi.

Në fjalën e hapjes, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka thënë se Panairi i Librit nuk duhet të shihet vetëm si një vend për shitjen e librave.

“Unë e shikoj librin si një mik që lidh dy miq dhe dy njerëz të panjohur me njëri-tjetrin”, ka thënë Margariti.

Në vijim, kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, ka vlerësuar se veprimtaria e larmishme e botuesve ka bërë që lexuesit të shijojnë kulturën evropiane.

Teksa ka përmendur se botuesit po përballen me probleme e mangësi, Ymeri ka ftuar Ministrinë e Kulturës që të punojnë bashkërisht për të përmirësuar gjendjen e librit.

“Korridori i librit është një korridor që na çon në Evropë, kjo është e sigurt. Me libër do të ecim përpara”, ka nënvizuar ai.

Ndërkaq, Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka përsëritur thirrjen për heqjen e taksës mbi librin.

“Na është premtuar një kohë të gjatë që do të kemi një treg të unifikuar të librit, por në fillim të këtij viti ne morëm një lajm jo të mirë për botuesit nga Kosova, ku të gjitha botimet tona i nënshtrohen një tarife prej 6 për qind me të hyrë në Shqipëri. Kjo nuk i shërben aspak tregut të unifikuar që duam ta kemi”, ka thënë Zeneli.

Edhe sivjet, botues nga Kosova kanë ekspozuar botimet e tyre në stendën e përbashkët të Shoqatës së Botuesve të Kosovës e disa veç e veç, ndërkohë që MKRS-ja ka dhënë një mbështetje financiare për ta.

Në një prononcim për “Kohën Ditore”, botuesi, Edon Zeneli, ka vlerësuar se botuesit e Kosovës janë gjithnjë e më të pranishëm në Panairin e Librit në Tiranë.

E botuesit e Kosovës, sipas tij, po ringrihen në tregun e librave shqip pavarësisht barrierave burokratike.

Ndërkaq botuesja e “Skanderbeg Books”, Flutura Açka, ka vlerësuar pjesëmarrjen e autorëve të rinj shqiptarë. Duke e quajtur si festë libri, ajo ka thënë se pret që ky panair të jetë i suksesshëm.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorët çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 21:00.

Të shtunën, më 16 nëntor, në sallën ovale në ora 12:00 do të bëhet edhe ndarja e çmimeve, ndërsa të dielën, që është edhe dita e fundit për këtë edicion, panairi do të ulë siparin një orë më herët./koha