Të kalosh kohë duke luajtur me nipat dhe mbesat ishte diçka e zakonshme për gjyshërit. Për shkak të pandemisë situata ka ndryshuar. Takimet e fëmijëve me gjyshin dhe gjyshen janë reduktuar. E po ashtu edhe lojërat.
Për shkak virusit mund të ndiesh mall të kalosh kohë me nipin ose mbesën. Këtë është munduar ta shpërfaqë edhe karikaturisti Diego Fels, fitues i edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturave në Ferizaj. Megjithatë, gjyshërit nuk ia kanë dalë t’i kthejnë të vegjlit krejtësisht në kohën e dikurshme, shkruan ‘koha’.
Në veprën fituese, dy të moshuar, në vend të nipit a mbesës, në kolovajzë kanë një laptop. Në ekranin e tij dallohet fotografia e një fëmije. Në këtë formë, artisti nga Argjentina e ka përshkruar situatën me pandeminë.
E, virusi COVID-19 ka zënë vend edhe në karikaturat e tjera. Është trajtuar në mënyra të ndryshme. Në karikaturën që ka zënë vendin e dytë, vjen me një dozë humori. Sipas artistit Aleksei Kivokurtcev nga Rusia, në raste të tradhtisë bashkëshortore e rëndësishme është të mbash maskën dhe dorëzat. Vendi i tretë i ka takuar Seyran Caferlit nga Azerbajxhani. Në karikaturën e tij bota goditet me bastun nga virusi, por edhe nga kriza ekonomike. Tri karikaturat janë midis atyre që plotësojnë mozaikun prej 99 punimeve në ekspozitën që është hapur të shtunën mbrëma. Qyteti, përmes këtij festivali, mori një pasqyrë artistike mbi pandeminë.
Imri Musliu, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Karikaturistëve në Ferizaj, “HiTHi”, që organizon Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës, ka thënë vrojtimi i ekspozitës është një udhëtim emocional nëpër ato që artistët kanë ndier gjatë pandemisë. Në adresë të Festivalit këtë vit ishin dërguar 1 mijë e 650 karikatura nga 360 artistë prej 53 vendeve të ndryshme të botës.
“Ky edicion ofron shumëçka. Fillimisht na mëson sesi e ka përjetuar bota këtë stres prej kësaj pandemie, pasi që nga 53 vende të botës ka artistë që i kanë shprehur emocionet e tyre përmes figuracionit, përmes karikaturës. Mirëpo, edhe na ka mësuar edhe neve shumëçka, por e mira e gjithë kësaj është se edhe të rinjtë janë angazhuar dhe kanë filluar të merren me këtë lloj arti”, ka thënë ai.
Për edicionin e sivjetmë janë ekspozuar edhe karikatura të realizuara nga të rinjtë në moshën 18-vjeçare dhe disa stripa nga “Qendra e Stripit” nga qyteti i Velesit në Maqedoninë Veriore. Ekspozita e cila shënoi hapjen e edicionit të sivjetmë do të qëndrojë e hapur për dy javë në Galerinë e Arteve në Ferizaj.