Pandi Laço: Elsa Lila ka shpëtuar nderin e Festivalit

pandi laço të të them shpirt

Nga Pandi Laço

Festivali duhet të falenderojë Elsën!
Nuk ka fituar Elsa ? Më mirë që s’ka fituar! Sepse në këtë mënyrë Elsa ka shpëtuar nderin e Festivalit ! Po po ! Nderin e Festivalit që u paragjykua para pak kohësh si një event i kompromentuar ! Pikërisht atëhere kur u përfol për këngën që do të shkonte në Eurovision! “Edhe nëse ka patur krisma, ato kanë qënë diku larg”! Kjo batutë filmi më erdhi tek u njoha me fituesit e Festivalit! Sa për Elsën, që mendoj se e njoh sadopak, jam i sigurt se pas zhgënjimit të dytë, ka thëne. “Punë e madhe! Unë po rilind!” . Elsa nuk është 15-vjeçarja që qëndron “Larg urrejtjes” dhe e “Lotit që pikon”. Elsa nuk është fëmija i brishtë, që ka njohur dikur publiku. Elsa ka ndyshuar si artiste, ka ndryshuar në vokal, në interpretim, stil, preferenca..E në fund të fundit ky është dhe misioni i artistit. Ndryshimi, risia, transformimi, sepse përndryshe bëhet i mërzitshëm.
Elsa ka kaluar shumë furtuna në jetën e saj. Madje jeta e saj është e denjë për një skenar filmi, pse jo si e Nina Simone e Billie Holyday, plot peripeci e tronditje që gjithësesi lenë gjurmë kur gdhendet personaliteti artistik e po ashtu dhe ai human. E si një artiste me një talent të jashtëzakonshëm, por edhe me një karakter ku gërshetohet krenaria vlonjate, çiltërsia e vajzës së “Tironës”, (por edhe cilësi të tjera për të cilat mund të ketë interes skenaristi i jetës së saj), ajo edhe këtë herë do t’ia dalë më së miri. Elsa ka forcën e një nëne. Në Itali, nëna të tilla quhen “ragazza madre” ! Dhe si një zonjushë e sprovuar, finalja e Festivalit, nuk e ka dekurajuar aspak, sepse sytë e saj, kanë përjetuar drama të tejskajshme.
Por ajo çka është më e rëndësishmja, e ritheksoj! Elsa në një lloj mënyre i shpëtoi nderin Festivalit të paragjykuar.
Natyrisht Festivali nuk është më i dikurshmi! Dhe le të mos kemi iluzione. Nuk ka kthim mbas! Veçse diçka! Dikur,kur Festivalin e ndiqnin prindërit tanë, Festivali ka qenë edhe më i kompromentuar me këngët për Partinë e ndërtimin e socializmit. Ashtu siç ka patur edhe vlera të jashtëzakonshme artistike të cilat sot thuajse kanë humbur. Në fund të fundit ky është një proces që po e përjeton bota në planin social, njerëzor, artistik, etj etj..
Po për t’ju kthyer përfundimisht argumentit të sipërpërmendur!…Festivali duhet ti thote “faleminderit” Elsës, jo vetëm që e pati, por edhe që i shpëtoi nderin !

ObserverKult

Lexo edhe:

PANDI LAÇO: MALL BULEVARDI