Pandi Laço
Në një ditë si kjo, kur dita tradicionale e Krishtlindjes sjell në shtëpitë e gjithsecilit një lloj paqeje, plot urime mes njerëzve dhe shkëmbime dhuratash, rituali i festës nuk është aq me ngjyra për të gjithë.
E me sa duket, i tillë, paska qenë i shkruar të jetë edhe për Elvanën e gjorë.
Pasfestivali plot polemika! Trofeu i çmimit të parë, diskutuar mes dy artistëve! Një juri euro – shqiptare (e quajtur kështu meqënëse akoma s’jemi pjesë e Europës së Bashkuar) me dy qasje të ndryshme!
Një konstatim i imi krahasues në Festivalin e 54, (2015) lidhur me krijimtarinë e emrave të mëdhenj të muzikës u keqinterpretua dhe u anatemua. Sot kam kurajon ta risjell përsëri në kujtesën tuaj dhe nëse diku kam gabuar le të më kryqëzojnë përsëri!
“Ishte koha kur festivali identifikohej me një Vit të Ri.
Është koha kur festivali identifikohet me një vit të vjetër.
Ishte koha kur njerëzit e kishin barkun bosh, megjithatë rrugët zbraseshin se mezi priteshin këngët e reja të festivalit.
Është koha kur me barkun bosh apo plot, njerëzit e kanë më të kollajtë të mbushin rrugët për mitingje sesa të dëgjojnë këngët e reja.
Ishte koha e Abdulla Grimcit, Avni Mulës, Agim Prodanit, Feim Ibrahimit, emra “myslimanë”, por që ditën të bëjnë vetëm muzikë shqiptare.
Është koha e Renatos, Armandos, Leandros, Marios që sot e qajnë tallavanë.
Ishte koha kur këngët për partinë ta shpifnin festivalin… megjithatë prapë shihej festivali…
Është koha kur bëhen këngë vetëm për dashurinë aq sa ato t’i shpifin festivalet.
Ishte koha kur suksesi i këngës varej nga rryli i fytit të këngëtares.
Është koha kur suksesi i këngës varet nga silikoni i këngëtares”.
Por edhe njëherë, ashtu si në komentin e para pak ditësh, nuk dua të qëndroj tek festivali dhe festivalet.
I rikthehem argumentit të këngës shqiptare, gjë të cilën jam munduar ta bëj prej kohësh, qoftë në produksionet tona (me Adin e Bledin) si “Këngët e Shekullit”, ashtu tek “100 Vjet muzikë”, “Kënga ime”, apo me komentet në profilin tim.
Me sa duket kur unë ngrita shqetësimin e krizës së këngës atëhere, audienca dhe publiku nuk i kishte këto shqetësime.
As vjet kur një status i imi u sulmua nga shumë joprofesionistë, por edhe disa profesionistë.
Por sot i jemi sulur Elvanës! Si të ishte zanafilla dhe shkaku i krizës së madhe të këngës shqiptare. Në një lloj mënyre është si një lloj dënimi artistik ‘me vdekje’, ose siç quhet ndryshe ‘lapidazione’. (Ndjesë që nuk ka një fjalë të vetme për të përkthyer e përshtatur këtë fjalë që vjen nga latinishtja – lapidare – me hedh gurë).
Gurët që janë shkarkuar ndaj Elvanës gjatë këtyre ditëve u ngjajnë atyre që dikur hidheshin ndaj atyre që dikur kryenin adulter.
Miq dhe armiq! Nuk është Elvana burimi i së keqes… As festivali nuk është! Nga ana tjetër, nuk dua të mbroj me fanatizëm talentin dhe artin e saj, se Elvana nuk ka nevojë të mbrohet nga askush.
Burimi i së keqes jemi vetë ne, që për së pari brenda vetes kemi lejuar katrahurën e sotme muzikore.
Ne JEMI e keqja që për së pari kemi mbështetur pseudoartistë!
Ne JEMI e keqja që kemi ngritur në podiume e skena pseudokëngëtarë!
Ne JEMI e keqja që në klube, bare, dasma e ditëlindje, nën efektin e ‘rakisë së Skraparit’, heqim kravatat e me këmisha zbërthyer kërcëjmë nën ritmet orientale të gjoja hiteve muzikore.
Ne JEMI e keqja që vlerësojmë me Çmime e Trofe, produksione naive e stisje muzikore me tekste banale.
Ne JEMI e keqja që ngatërrojmë Këngët me Paroditë. Qeshim, rikëndojmë e kthejmë në “hit” çdo gjë vulgare.
Ne JEMI e keqja që i stërpaguajmë pseudoartistët, pseudokëngëtarët, pseudokomedianët dhe nënvlerësojmë zërat e talentet e vërtete apo instrumentistët që stërmundohen për vite me rradhë mbi tastiera e partitura.
Në këtë kaos muzikor, sot gurët hidhen mbi Elvanën, por në këto ditë Krishtlindjesh, më lejoni t’iu sjell një fragment te Bibles, kur para Krishtit, gati po ekzekutohej një grua.
“Kush nga ju është pa mëkat, atëhere le të hedhë gurë kundër saj”… e duke vijuar “As unë s’mund të të dënoj… shko e mos mëkato më”!