Thoshte e ndjera gjyshe se, kur një grua ndihet e trishtuar, më e mira që duhet të bëjë është të nisë e të thurë flokët gërshetë: kësisoj dhimbja do të mbërthehej e do të mbetej në flokë dhe nuk do të arrinte dot në pjesët e tjera të trupit; duhet pasur shumë kujdes që trishtimi të mos futet në sy, sepse do të sillte shi, po ashtu nuk duhet lënë të hyjë në buzë, sepse do ta detyronte femrën të thoshte gjëra që nuk do të ishin të mira; as në duar nuk duhet të futet trishtimi – më thoshte gjyshja – sepse mund ta djegësh kafen apo mund të të mbetet buka e papjekur: ngaqë trishtimit i pëlqen shija e hidhur. Nëse ndihesh e trishtuar, bija ime, thur flokët gërshetë; mblidhe e bëje lëmsh dhimbjen dhe lëshoje të iki, kur era e veriut fryn e godet gjithë shkulme.
Floku ynë është si një rrjet i aftë që kapë gjithçka, është i fortë si rrënjët e lisit dhe i butë si shkuma e qumështit.
Bija ime, që melankolia mos të të kapë në befasi, apo nëse, për çfarëdo lloj mungese, e ke zemrën copë ose eshtrat të ftohta, mos i lër flokët të lëshuar, se të futet në to e pastaj rrjedh si ujëvarë nëpër kanalet që hëna ka bërë në trupin tënd. Thure gërshetë trishtimin tënd, thoshte e mira gjyshe, gjithmonë thure gërshetë trishtimin…
Dhe të nesërmen, kur të zgjohesh nga kënga e bilbilit, do ta gjesh trishtimin të pajetë e të tretur në vegjën e flokëve të tu.
Përktheu: Bajram Karabolli
*Titulli i origjinalit: “Do ta thur trishtimin”