“Paradhoma e vetmisë”, tregim nga Irena Gjoni

Irena Gjoni         

Drita e ditës depërtonte nga grilat e mbyllura jo plotësisht, duke i dhënë grisë së metaltë të ekranit të kompjuterit, një shkëlqim që kaltronte si mbi hirin e ftohur. Ajo po qëndronte aty, midis tij dhe dritares duke kristalizuar mbi tasta mendimet e saj. Nuk kishte hedhur shall krahëve, kështu që shpatullat shfaqnin lakuriqësinë e tyre. Ai ndiqte çdo lëvizje të saj duke iu dukur magjepsëse. Ishin nga ato çastet ku muza i kishte zbritur mbi qerpik, po hipnozën më të ndjeshme e përjetonte ai duke iu bërë dy muza bashkë përpara syve. Në një pauzë të saj, iu ravijëzua një buzagaz kur pa hutimin e tij. E pyeti nëse donte të pinte diçka. Ai nuk pranoi. Ajo ngulmoi dhe më në fund e ftoi duke qeshur të pinin bashkë. Meqenëse gota e saj ishte pothuajse bosh, ajo e thyente herë pas here trupin mbrapsht ta pinte dhe ashtu me kokë të varur mbrapa, me buzë të zgjatur, me qafë të tendosur, qeshte se s’ndiente gjë në gojë. Ndërsa me majën e gjuhës që nxirrte midis dhëmbëve të saj të vegjël, lëpinte çikë e nga një çikë fundin e gotës. Zëri i saj sipas atyre që thoshte, herë dilte më i kthjellët, herë i mprehtë, ose molisej përnjëherë, i zvargte tonet që përfundonin gati në pëshpëritje. Pastaj hapte sytë e saj të përhumbur me qepallat gjysmë të mbyllura e hidhte tutje një shikim të trishtë.

          Këto mendime bluheshin në kokën e tij duke e torturuar. Përsëriste një e nga një fjalët që kishte thënë ajo, duke u përpjekur t’i kujtonte fill e për pe, t’ua plotësonte kuptimin me qëllim që të përfytyronte atë pjesë të jetës që e kishin kaluar së bashku. Ngriti kokën për të parë ku ndodhej, duke lëshuar një psherëtimë nga thellësia e shpirtit si për t’u lehtësuar sado pak. Ecte i vetëm në monotoninë e tij anës rrugës së rrethuar nga pemët. Nuk shihte asnjeri, por vetëm hijet e mëdha të drurëve që binin pingul mbi të.

          Mos vallë këto janë shfaqjet e para të vetmisë? “Shikimi i saj, shikimi i saj i trishtë donte të vendoste për fundin tonë. Ky ishte fundi ynë.”- mendoi. Lotët lidheshin komb në grykë. Pastaj rridhnin çurk nëpër faqe. Ulej si për të kujtuar çastet e bukura. Ai e kishte dashuruar deri në ekstrem. Ishte takimi më i bukur dhe më i ndezur që mund të ekzistonte. Qe i aftë të ndiente për të duke përjetuar kënaqësi ekstreme, edhe pa i prekur fijen e flokut. Çohej si për të thënë se nuk i interesonte më, por përsëri mposhtej.

          Këto mendonte duke ecur. Dashuria e tij për të kthehej herë – herë në zbrazëti të shpirtit, në mungesë, në akullzim të qenies duke mos arritur të perceptonte asgjë rreth tij. Tashmë për të jeta ishte asnjë ëndërr, asnjë realitet. Ajo depërtonte në brendësi të trurit. Përsëri thyhej dhe kthehej bosh duke parë se asgjë nuk mund të bëhej. Të gjitha alternativat e çonin drejt rrugës së vetmisë, të vetmisë aq të frikshme për të. Ky ishte ndëshkimi i mendimeve të tij. Nga ana tjetër i shfaqej si diçka hyjnore. Po si mund të jetojë me mendime duke vënë paqe me veten?! Njerëzit, mendimet e tyre, i shfaqeshin si maja e një gjelbërimi të trishtë. Kudo heshtje, heshtje, akullzim i ndjenjave dhe përsëri e përsëri mendimet nuk e linin të qetë. Ndiente se çdo cep a kënd i mendjes përqendrohej tek një figurë e vetme. Gjithçka brenda tij i përket pushtetit të së kaluarës. Duke dëshiruar që kjo të vazhdojë të tashmen dhe më pas të ardhmen. Duke përsëritur e ripërsëritur vetveten. Duke humbur sigurinë e njohjes.

          Mendoi se toka do t’ia falte sigurinë e fundësisë, por u gabua. Mes shkallëve që e ndanin nga bota blu dhe shumëngjyrëshe, dëgjoi zërin ulëritës të saj dhe zërin e heshtur të vetmisë mizore. Vetmia tashmë nuk mund të udhëtonte as në fantazinë më të lejueshme. AJO ecte me hapa tronditës në shpirtin e errësuar të botës së tij. Ishte i bindur se AJO do të jetonte përjetësisht aty…/ ObserverKult