Parajsë e nëmur apo ogur shprese

Nga Mërgim Bekteshi

Sadik Krasniqi u takon poetëve kosovarë që vargun poetik e mbërthejnë me nostalgji, disidencë, herë pas here një empati që shfaq dëshirën e vullnetshme, por që prolongohet gjatë rrugës. Ndoshta edhe të jetuarit larg atdheut, reflektimet e Krasniqit i bën më përmbajtjesore, më protestuese, që nuk vijnë si deklarime, por sikur tendenca për të prekur materien e shpërbërë. Kjo shpërbërje e të menduarit ka një artikulim-lutje dhe herë duket si mallkim, por, mbi të gjitha, e gjejmë arsyen e shëndetshme të vargëzimit.

“Parajsë e nëmur” është libri i pestë me poezi i Sadik Krasniqit, për botimin e së cilës u kujdes shtëpia botuese Armagedoni, më 2019. Vetë titulli i librit është një ofshamë kundrejt botës hyjnore, por me emëruesin e përbashkët ‘njeriun’ e katandisur me të dyja këmbët në dheun e shumëngjyrshëm të trojeve shqiptare. Libri është i ndarë në pesë tufa me tituj të çuditshëm, por relevantë, që sfidohen nga aktualiteti: Psalm dëshmie, Këmisha me flutura, Sa pak frymë, Solemniteti i mërzisë dhe Bulëzim thysash. Secila nga këto njësi është e përgatitur me togje të veçanta që pretendojnë të stisin udhëzimet e poetit, të ngjeshin zërin e arsyes përmes një alegorie që e hijezon poeti.

Cikli i parë “Psalm dëshmie” fillon me poezinë “Kafka ime”, e kundërta e asaj që gjejmë në vargjet biblike, por që autori e vë në funksion të psalmeve. Në relacion me funksionin biologjik, kafka e autorit terrorizohet, himnizohet dhe funksioni i saj mbrojtës i trurit arrin pikën e shpërbërjes: Kafka im/është një shkretirë/ku indiani gjuan shenjën me shigjetë (fq.11).  Apo, kur vargun e përmbyll: kjo kokë nuk bie nga shpatullat/, një tmerr që nuk gjendet në korridoret e parajsës, por në rrathët e ferrit të Dantes. Ky cikël ka edhe shumë poezi domethënëse si vetë poezia Psalm dëshmie, ku autori i dëshpëruar nuk mund të dëshmojë mbi librin e shenjtë, gjaku i tij tanimë ka ngjyrë të zezë dhe nuk mund të përthyhet në dritën e diellit, i dëshpëruar deri në palcë.

Njësia e dytë e Krasniqit Këmisha me flutura, dallon nga ajo e para, ka një kujtesë më të hershme që lidhet me vetë këmishën, por poezia Po ikin, ka një reflektim që ngjan me turbulencën e përkohshme kur kujtojmë vdekjen dhe a do të ketë njeri që do ta na kujtojë? Pra, poeti kujton të dashurit që ikin dhe kujtesën që hijezohet me ikjen e arkivolit që mund të çudisë vetëm disa fëmijë në rrugë. Në këtë cikël bën pjesë edhe Cili jam unë, që është më shumë pyetje hipotetike se sa kriminalistike, me përgjigje nëse i ngjan Kainit apo Abelit. Dhe, poezia Mëkati i pafajshëm, autori me dashje, si pjesë e një jurie, mundohet ta heqë si të pafajshme Evën, duke bërë një arsyetim të besuar se: aty ku ka parajsë, nuk mund të ketë gjarpërinj dhe mollët nuk mund të jenë të helmuara. Do të thosha një aktgjykim i vonuar me të cilin autori mundohet të përmirësojë rrugëtimin biblik në shfajësimin e Evës së mëkatshme.

Sa pak frymë, në ciklin e tretë, autori e tërheq vëmendjen te gjendja biologjike e njeriut, për sendet që duhet të frymojnë dhe të mos mbesin në trajtën e pandryshuar. Nëna bisedon me sendet, paraqet një nënë të vetmuar që flet me gjësendet në mungesë të fëmijëve të saj. Në këtë cikël hyn edhe poezia Fryma e nanës që përfaqëson këtë cikël; por mendoj edhe disa poezi të tjera me përmbajtje dhe peshë poetike, si ato kur poeti takohet me pikturat e ndritshme historike dhe mbi qenien e tij, për çfarë reflekton vargu i fuqishëm i protestës apo i mallkimit: Zot pse s’po i njoh fëmijët e mi/Zot do t’i nxjerr edhe dy sytë e mi (fq.57)

Solemniteti i mërzisë, sa titull i çuditshëm po aq temë në vete, tiparet serioze të poezisë vijnë me hije të rëndë: më trishton puthja e Judës/epo të urrej/i shenjti im i mjerë (fq.65). Apo te vargu tjetër: I sheh ata të përhumburit/secili shet diçka të dhimbshme (fq.69),pastaj disa poezi me teza dhe antiteza që reflektojnë një mërzi të akumuluar, këtë kronologji ngjarjesh që poeti e përmbledh me solemnitet.

Njësia e fundit poetike Bulëzim thysash, përmbledh poezi të ndryshme me bulëza që kanë një masë të caktuar të sythit të krijuar, por autori nuk dëshiron që ato t’i shohë të rritura apo të marrin trajtën e pjekurisë, ai dëshiron që ato të mbesin ashtu të njoma. Por, në këtë cikël gjejmë edhe poezi, me vargje që do t’i quaja kontrastive, me një nuancë krenarie e herë ndoshta edhe dëshpërimi, p.sh.: Sa dimër në ata sy/buzët brigje t’allta (fq.87). Apo kur autori i lutet Zotit që të mos e verbojë herët sikur Homerin e Borhesin, do të ishte një goditje e madhe, do të mbetej pa shijuar me syrin magjik ankthet që perceptojnë pamje vizuale në tru përmes receptorëve.

Me këto pesë njësi të formësuara, secila e veçanta për nga porositë poetike që autori i sjell para lexuesit, mund të kuptojmë se Sadik Krasniqi ka një vlerë të veçantë poetike apo, siç thotë populli, ‘bluan imtë’ duke dhënë trajta dhe detaje shumë interesante. Pra, Zanafilla Biblike nuk është interesim vetëm i astrofizikanëve, por më tepër dhe më i madh, edhe i poetëve që hulumtojnë në imagjinatat e tyre.

ObserverKult

———————————

Lexo edhe


MËRGIM BEKTESHI: PERSONAZH NË PURGATOR