“Paraloja”, poezi nga Yllka Maqedonci

Unë shenjtorja e shthurur, e vdekshme jam.
Ma thotë edhe korbi i zi,
ma thotë edhe pëllumbi i bardhë.
Në stacionin e autobusëve,
trotuareve vrapoj e s’fshihem.
Më shohin mua, fantazmën,
asnjë nuk çuditet.
Asnjë s’e tmerron silueta ime,
askujt s’i plas se luaj rule,
në kazino, unë fantazma 103.

Fantazma ime luan e luan,
betin kam 1000.
Dielli hënë bëhet, e hëna i nxjerrë minjtë.
Fatin tim në dorë ka kubi pikalosh,
tru i dhjamosur ka vdekur, po vdes për pak briosh.
Më sjellin lloj-lloj pijesh, hynjore për t’i pirë,
nga kupë e qelqit t’palarë mbushen vrimat cip’ më cip’.

Fantazmat e tjera i pushton një kënaqësi
kur shohin 15 topa të zjarrit përbri.
Një algoritëm ku fatkeqi fiton,
i bën fatmirët të shajnë motra dhe nënë.
Harmoni e goditjeve bam-bam-bam,
një rob të dikujt nga ajo karrige s’e ndan.
Veshët dëgjojnë një gong, boksier i çekut qeras,
i shkojnë lekët në minutë kur sërish vë bast.
Këmbëgjatat veshur me gete ngjyrë mishi,
Buzëkuqe e flokët sterrë që të verbrin mahnisin.
Çohem e pirë nga martinit bajat,
e bukur adrenalina, e bukur dhe kjo natë.

ObserverKult


Lexo edhe:

(VIDEO) FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 3/ NATA E TË RINJVE