Parashqevi Qiriazi, një leksion për komunikimin sot

Agim Baçi:
Agim Baçi

Nga: Agim Baçi

Teksa mbyll faqen e fundit të librit “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919” i studiueses Teuta Toska nuk ka se si të mos ndiesh krenari, por edhe një turp.

Krenaria kur lexon dhe ndien se ç’përkushtim mund të gjesh te disa njerëz apo familje të tëra, për dashurinë pa kushte për Kombin. Për ata që nuk e njohin, Parashqevi Qiriazi ka mbajtur shënimet e diskutimeve në Kongresin e Manastirit më 1908 dhe ka mbajtur ditarin e veprimtarisë të delegatëve shqiptarë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, në të cilën u vendosën kufijtë e sotëm të shtetit shqiptar.

Sa kohë ishte në Paris, ajo koordinoi takime të nivelit të lartë të delegacionit me diplomatë të Fuqive të Mëdha dhe botoi artikuj për çështjen shqiptare në gazetat e njohura të asaj kohe. Kur mëson edhe më tepër detaje nga Toska në librin e saj të sapobotuar, lidhur me portretizimin e Parashqevi Qiriazit, nuk mund të mos ndalosh e i turpëruar të bësh disa pyetje: Si është e mundur të mos i njohim sa duhet ata që dhanë gjithçka për këtë vend, duke besuar se kështu jeta e njeriut merr kuptim?

Si është e mundur që në këta tridhjetë vjet ndryshimesh të sistemit politik të mos vlerësonim siç duhet ata që për pesëdhjetë vjet iu mohua kontributi, emri, prona, duke i kthyer në armiqtë më të rrezikshëm të diktaturës, pasi veprimtaria e tyre ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo e komunistëve ndaj atdheut?

Parashqevi Qiriazi, edhe pse ishte dëshmitare e të paktën dy prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve, “u vra” nga diktatura përpara se ajo të vdiste, teksa iu fshi çdo lloj kontributi dhe vlere deri në vitin 1970, kur ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare. Ajo “u vra” për së gjalli ashtu si shumë të tjerë, ashtu siç përfunduan në honin e tmerrshëm të hakmarrjes edhe shumë prej pasardhësve të atyre që shpallën Pavarësinë më 1912. Do të mjaftonte syrgjynimi i pasardhësve të Ismail Qemalit, apo fati i  pasuesve të familjeve më të mëdha shqiptare, të atyre që hapën shkolla, apo ndërtuan spitale e shtëpi humanitare, për të kuptuar se si i vlerësonte ai sistem themeluesit e vërtetë të shtetit shqiptar.

Parashqevia “u zgjua” vetëm për një çast në diktaturë, në veprimtaritë përkujtimore me rastin e 60-vjetorit e Kongresit të Manastirit (1968), kur pushtetit në fuqi iu nevojit të kishte të pranishëm një pjesëmarrës ende të gjallë në atë ngjarje. Kështu ajo, nën velin e madh të Dashurisë për Shqipërinë, në fjalën e saj nuk hodhi asnjë pikë urrejtjeje, por si një patriote e vërtetë iu përgjigj thirrjes për të përkujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme shqiptare, për të cilin ishte kujdesur të mbante shënimet, të hartonte më pas edhe abetaren e gjuhës shqipe, të parën abetare me germat që përdorim sot, e të shkruante e kompozonte të parin e të vetmin himn për alfabetin. Ndërsa ditari i saj për Konferencën e Paqes në Paris mbeti nëpër sirtarë, derisa u nxor në dritë nga puna e Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante. Për familjen Qiriazi, në fakt, ka edhe botime të tjera, për të tjerë anëtarë të familjes dhe kontributet e tyre lidhur me çështjen shqiptare, por shumica e këtyre botimeve ende është nën heshtje nga konsumizmi që ka mbytur çdo debat lidhur me vlerat.

Por në këto tridhjetë vite, ne kemi harruar t’i rikthehemi amanetit të tyre, të vlerësojmë shqetësimin e tyre edhe atëherë kur historia u tregua mizore ndaj tyre. Të zhytur në debatet e ditës, në përpjekjet për të justifikuar rendjen pas interesave, pa asnjë lidhje me qëllimin e atyre që e deshën këtë vend më shumë se gjithçka, historianë e analistë sot shikojnë se si mund ta përçajnë, ta “libanizojnë” panoramën e sotëm të aktualitetit shqiptar. Janë po ata njerëz që gjithë këta vjet ftuan pa u kursyer “gjithë qelbësirat të bashkohen” për të mundur kundërshtarin politik që urrejnë.

Apo edhe të tjerë, që për atë që nuk u shkon përshtat, gjejnë një zinxhir gjuhësor me turqizma, ushqime orientale, bakllava e kadaif, për të shpjeguar atë që, sipas mendimit të tyre, nuk shkon me jetët tona. Kjo lloj gjuhe për të justifikuar ide politike, për të justifikuar mbështetje ndaj një pale, është në fakt pasoja e asaj politike që u ndoq në këto tridhjetë vite në shoqërinë tonë, ku i fituari është banaliteti dhe ku tentohet të përjashtohet “tjetri” që nuk mendon si ta.

Shumë më tepër u fol e u shkruajt se ç’ndodhte brenda lagjes ku jetonte Byroja Bolitike, se si komunikonte Enveri me Mehmetin, u përfolën e u numëruan martesat e divorcet që ndodhën brenda perversitetit të ish-Bllokut, sesa u përthith vlera që na përcollën kujtimet e at Zef Pllumit, Eqerem bej Vlorës, Sejfi Vllamasit, Mit’hat Frashërit, e shumë të tjerë që u mohuan pas vdekjes apo për së gjalli.

Këta njerëz fisnikë, as në burgjet e tmerrshme, as në syrgjyn, as në mohim, as në vdekje për së gjalli nuk shprehën përçarje, fyerje për këtë vend. Ata panë shumë më larg sesa perdja që vendosi sistemi komunist, panë më larg sesa inatet e vogla dhe na ftuan edhe ne ta shohim Shqipërinë si një vend ku duhet të përkundim ëndrra, ku mund të besojmë se do të jetojmë bashkë me fëmijët. Pesha e fuqisë së tyre shpirtërore për këtë vend është një himn për të gjetur një rrugëtim të përbashkët.

Te ky turp që duhet të kemi ndaj veprës dhe jetës së tyre na ka çuar mosnjohja jonë. Në fakt, zhytur në diskursin socio-ateist mjaft debutues nuk kanë fuqinë për të kuptuar se ata që luftuan për këtë vend, kishin jo vetëm Kombin parasysh, por edhe krijuesin e jetës dhe kombeve – Zotin. Dhe mjafton të lexojmë vetëm jetën dhe veprimtarinë e Parashqevisë për t’u ndier i turpëruar dhe për të kuptuar se sa të vegjël jemi përballë atyre që nuk fjetën kurrë në shtratin e urrejtjes.

Parashqevia dhe e gjithë familja e saj janë një himn për të gjithë ata që dinë se për çfarë luftohet, pasi te ajo dhe të tjerë që luftuan si ajo, nuk ka në asnjë ditë të jetës së tyre urrejtje. Dhe nuk ka se si mos të ndihesh krenar për ta kur në jetën e tyre, në shënimet e tyre, nuk gjen asnjë shënim ku të shahet apo mallkohet kombi, edhe pse mohimi ndaj tyre ishte një vdekje më e madhe sesa kur njeriu mbyll sytë. Jeta e tyre është një leksion – një leksion i madh dashurie, të cilin le të lutemi që të nisë të lexohet, e dashtë Zoti, edhe të praktikohet.