
Edhe pse nuk mund të shijojmë ceremoninë gala të ndarjes së çmimeve Kult për shkak të pandemisë, fituesit do të zgjidhen vetëm brenda pak ditëve. Që vitin e kaluar janë bërë të ditur 66 të nominuarit për 11 çmimet e mëdha “Kult”.
Ditën e sotme ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, presidenti i akademisë Kult, Ylli Sula, i cili u shpreh se në fund të vitit 2020 janë mbyllur listat e të nominuarve, pas një përzgjedhjeje me shumë kujdes. “Brenda dy tre ditëve të ardhshme do të zgjidhen fituesit”, tha Sula.
Ndërkohë i ftuar ishte edhe Koço Qëndro, fitues i çmimit “Aktori më i mirë i vitit”, në 2019 me rolin e Kopracit, tregon se ky çmim mbylli karrierën e tij. “Jam shumë i lumtur, me këtë çmim unë mbylla karrierën time në skenë, gati 7 dekada”, tha ai.
I ftuari tjetër ishte fituesi i “Dokumentarit të vitit” në vitin 2019, Eno Melkani, i cili vlerësoi akademinë Kult si organizim shumë të rëndësishëm për artistët.
“Fitues është ai që vjen në sallë, është i vetmi konkurs që artistët mblidhen dhe kuptojmë cilët janë librat, muzika, aktorët e mirë. Akademia duhet të bëjë thirrje për të gjithë ata që prodhojnë, dhe të ketë më shumë informacion për krijimin që prezantohet, që juria të shohë si realizohet”, tha Melkani.
