Të dua si një engjëll
t’paprekur, të kulluar,
të dua me gjithë shpirt
me dashuri t’amshuar;
të dua: do m’dëgjosh
dhe deri n’varr të zi,
dua buzëqeshjen tënde,
që m’hap një qiell të ri.
Trazimet edhe vojtjet
që m’sollën n’shpirt rëndim,
të gjitha ato të zeza
t’atij gabimi tim,
gulçimet dëfrimtare
u zhdukën para teje
dhe ndiej se jetë e re
po lind këtu pranë meje.
T’falem, o e bardha vashë,
pëllumb i pacënuar!
për ty ky shpirt po kthehet
drejt besës së harruar;
dhe e ndien se dashuria
plot shpresë është duke ardhë!
T’falem! është bërë më e pastër
nga shpirti yt i bardhë!
Përktheu nga italishtja: Henrik Lacaj