Pashko Vasa: Unë të dua e ti s’e di…

pashko vasa shqypni

Unë të dua e do ta thoja
nëse n’mes të këtij mjerimi,
të një jete lemerie,
n’mendjen time do të shikoja
vezullimin’ e ‘i rreze shprese
përballë gjithë kësaj dashurie.

Unë të dua e ti s’e di…
Po pse vall’ për fat të zi
të t’jap pjesë prej këtij hidhërimi,
kur për mua s’ndrin kurrë më
jo një diell, por flakë e zbehtë
në errësir’ të këtij udhëtimi?

Unë të dua, por gjithmonë
do ta ndryj në shpirt sekretin,
tej kufijsh t’mos kalojë dot
me shqetësim ta turbullojë
prehjen tënde, ty te syri
s’dua të dalë asnjë pikë lot!

Unë të dua, por ndër sy
fshehtësin’ e zemrës sime
s’do kuptosh ti asnjëherë…
Rron ajo tek un’ varrosur
edhe kurrë s’do t’bëjë të qash
dashuria e një njeriu t’mjerë.

*Titulli i origjinalit: “Njërës”

(Shkëputur nga libri ‘Vepra 1’ i Pashko Vasës)

ObserverKult


pashko vasa shqypni

Lexo edhe:

KUSHTUAR VAJZËS QË I KISHTE VDEKUR/PASHKO VASA: NË KUJTIM TË MARIES SIME

E njomë, e hijshme, e qeshur,
çka kurrënjëherë s’ka ngjarë,
këtu nën qiell kaq të ngrohtë,
sytë hape për herë t’parë,
ti krejt si një meteorë
për pak ditë dhe shkëlqim.

Ngushëllim ishe për mua,
ishe kënaqësia ime
dhe asaj buzëqeshje engjëjsh
borxh i kam sa gëzime.
Por brenda ’i kohe t’shkurtër
u zhduk gjithë ai galdim.

Ti u zhduke! Ngjyrë e bardhë
fytyrën tënde e veshi
dhe mbi atë buzë të zbehtë
krejt qeshja e qiellit qeshi,
dhe qe një brengë zharritëse
për shpirtin tim të gjorë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult