”Pasionet e idiotëve”, libri që zbulon skeletin e pasionit, i kamufluar nën kollaret e mëndafshta

Ditëve të fundit është botuar libri sociologjik “Pasionet e idiotëve”, i autorit-sociologut Labinot Kunushevci, botim nga Libraria ”Artini-Toena” në Prishtinë.

Libri ka qenë pjesë edhe i Panairit të Librit në Prishtinë, i cili ka qenë i hapur nga data 6-11 qershor.

Recensues të librit janë: Afrim Blyta, Ali Pajaziti, Daut Dauti. Redaktor i librit është Mehdi Mulaj, ndërsa kopertina nga Dardan Shala dhe faqosja nga Arsim Murseli.

Ky libër përmban gjithsej 10 ese sociologjike me temat:

1. SI NDIKOJNË IDIOTËT NË JETËN TONË?

2. A KA NË UNIVERSITET PROFESORË PERVERSË, SHARLATANË, IDIOTË?

3. PSE PUNËDHËNËSIT FYEJNË INTELIGJENCËN E PUNËTORËVE?

4. SI JANË BËRË IDIOTËT KAQ TË FAMSHËM NË MEDIA?

5. PSE HUMORI ËSHTË ART SERIOZ DHE JO SHAKA PËR TURMA?

6. KUSH PO U JEP KAQ VETËBESIM ANALISTËVE NË MEDIA?

7. SI TRAZOHEN EMOCIONET NDAJ ZOTIT?

8. PSE SOT KEMI PRINDËR QË SHTOJNË NJERËZIMIN, POR ZVOGËLOJNË NJERËZOREN?

9. SI T’I NJOHIM POLITIKANËT KARIZMATIKË SE JANË EDHE IDIOTË TË KARRIERËS?

10. A PO KRIJOJMË QENIE HIBRIDE, PA INTELIGJENCË EMOCIONALE: NJERËZ-MAKINA? 

Në vazhdim po paraqesim recensionin kryesor të librit, nga neuropsikiatri i njohur, Prof. Afrim Blyta:

”Shtjellimi i koncepteve të shëndetit mendor kërkon kapacitet profesional dhe guxim intelektual edhe për profesionistët e fushës. Autori, ndonëse nuk është profesionist i domenit, arrin t’i tejkalojë kufijtë e përkufizimit të koncepteve të shëndetit mendor, jep një dimension krejt tjetër, shumë më gjithëpërfshirës dhe shumë më universal, si nga aspekti kohor, ashtu edhe hapësinor.

      Autori prezanton realitetin objektiv me sy kritik, me një dozë në dukje të subjektivizmit, në të vërtetë tejet analitik, duke u futur thellë në sferën e cila nuk është vokacion i ngushtë i autorit, në psiko-analizë. Ai me saktësi frojdiane e zbërthen strukturën “biologjike”, si shkak i të gjitha fenomeneve të cilat paraqiten në shoqëri në tranzicion, ku emancipimi dhe qytetërimi janë vetëm reflektim sipërfaqësor i një brendie ende të pastrukturuar, primitive, të paemancipuar dhe joqytetare, që flet në të vërtetë për defekte serioze strukturale, të cilat për fat të keq kërkojnë kohë të maturohen.

      Fondamenti i shtjellimit të temës është zbulimi i problemit, zbërthimi i tij, analiza dhe rrjedhimisht gjetja e zgjidhjes aq të nevojshme. Porosia bazike e saj në të vërtetë prezantohet në “moralin” si fondamentin më themelor të një shoqërie mbi të cilat mbivendosen superstruktura, të cilat nuk mund të mbijetojnë pa këtë themel bazik, thelbësor. Mungesa e këtij standardi themelor emancipues shpërfaq personalen para shoqërores, vetën e parë njëjës “unë” para vetës së parë shumës “ne”, përemrin pronësor “imi” para përemrit pronësor “yni”. Shoqëri ku fytyra i nënshtrohet të pafytyrës, nderi të pandershmes, patriotizmi pseudopatriotizmit, si tipare tipike të shoqërive të cilat funksionojnë si bashkësi të individëve të pakoordinuar kundruall me ato shoqëri të cilat udhëhiqen me ndërgjegje kolektive.

      Porosi universale, e cila do t’i mbijetojë kohës dhe hapësirës!”

ObserverKult


Lexo edhe:

BËHET E DITUR, JA KUR MBAHET PANAIRI I LIBRIT NË PRISHTINË

Me moton “Libri triumfon”, më 6 qershor hapet edicioni i 23-të i Panairit të Librit, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës ndërsa mbështetet nga Ministria e Kulturës.

Këtë vit marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj është rreth 2000, derisa numri i titujve të viteve të fundit është rreth 6000.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë duke filluar nga ora 9:00-20:00.

Panairi do të mbyllet më 11 qershor në orën 18:00.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult