
Nga Blerim Valla
Në Gjakovë, në shkollën e fshatit Ponoshec, aty ku ka qenë mësues edhe babai i tij, është bërë së fundi promovimi i librit më të ri “Pasluftat e mia” i shkrimtarit e historianit të njohur Jusuf Buxhovi. Bëhët fjalë për librin në brendi të të cilit autori shpalos përvojën jetësore dhe intelektuale të tij përmes kujtimeve, bisedave dhe reflektimeve, duke ofruar një panoramë të gjerë të zhvillimeve politike, kulturore e shoqërore që kanë shënuar fatin e shqiptarëve nga periudha e pasluftës së dytë botërore deri në ditët tona.
Në fshatin Ponoshec të Gjakovës me organizimin e Shoqatës “Drini Gjakovë – Shkodër” ju është hapur rruga e promovimeve të cilat do të vazhdojnë më pas në Tiranë dhe në Zvicër. Pjesëmarrja e mysafirëve dhe salla e shkollës së fshatit reflektoi interesim të madh për të dëgjuar përmbajtjen e librit.
Promovimin e hapi Halil Ahmeti kryetar i Shoqatës Drini për të vazhduar më pas me disa fjalë përshëndetëse edhe drejtoresha e shkollës “Ganimete Tërbeshi” të shkollës në Ponoshec të cilët vlerësuan lartë këtë vepër më të re të J. Buxhovit.
Pas tyre folën edhe Shefqet Shehu, kryesues i Asambles Komunale të Gjakovës i cili përshëndeti dhe falenderoi për punën e madhe që po bën shkrimtarit Buxhovi në fushën e letërsisë dhe të historisë. Ndërsa shkrimtari tropojan Lulëzim Logu theksoi mes tjerash se ky roman e ngre prozën dokumentare shqipe në një nivel tjetër estetik dhe filozofik.
Në fjalën e tij ndërkaq historiani, publicisti dhe romancieri Jusuf Buxhovi, ka thenë se libri në brendi të tij përmban ngjarjet shumë të rëndësishme të historisë moderne shqiptare shkruar në formë të kujtimeve (memoareve). Ai shpjegoi shtysën kryesore prapa këtij botimi voluminoz duke theksuar se ky libër vjen në një moment specifik të jetës së tij, në 80-vjetorin e lindjes dhe dëshironte të linte pas një pasqyrë të plotë të asaj që ka jetuar e parë vetë. Buxhovi potencoi se zgjodhi titullin “Pasluftat e mia” sepse periudhat e tranzicionit dhe të pasluftës në Kosovë (si ajo pas vitit 1946, ashtu edhe ajo pas vitit 1999) shpesh kanë qenë po aq të rënda dhe sfiduese për fatin e kombit sa edhe vetë luftërat. Ai bëri thirrje që historiografia të lirohet nga mitet dhe të pasqyrojë vetëm të vërtetat dokumentare.
Promovimi i librit “Pasluftat e mia” u bë në fshatin Ponoshec të Gjakovës për arsye thellësisht personale dhe emocionale, pasi ky vend përfaqëson një “vendlindje të dytë” për vetë autorin Jusuf Buxhovi.
Zgjedhja e Ponoshecit për të nisur këtë cikël të madh botimesh lidhet me dy arsye kryesore: Lidhja familjare dhe trashëgimia e të atit. pasi babai i autorit, Aziz Buxhovi (normalist i Elbasanit), ka shërbyer si mësues i parë në shkollën e këtij fshati nga viti 1953 deri në vitin 1960. Ai përhapi diturinë në shqip në një kohë tepër të vështirë për arsimin në Kosovë. Në shenjë nderimi për kontributin e tij, biblioteka e shkollës së fshatit mban pikërisht emrin Biblioteka “Aziz Buxhovi” për të cilin J. Buxhovi dhuroi disa ekzemplarë të romanit më të ri të tij.. Pasi vetë Jusuf Buxhovi ka kryer një pjesë të rëndësishme të shkollës fillore në Ponoshec (nga klasa e tretë deri në të tetën). Siç ka deklaruar edhe vetë shkrimtari, këto vite kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tij dhe ky fshat zë një vend qendror në shumë prej veprave të tij letrare. Për këtë arsye, përpara se libri të udhëtonte drejt kryeqendrave si Prishtina, Tirana e Zvicër Buxhovi vendosi që t’ia dedikonte promovimin e parë pikërisht vendit që i dha vulë fëmijërisë dhe kujtesës së tij fillestare.
Para promovimit mysafirët dhe të pranishmit e tjerë vizituan edhe bibliotekën e shkollës në Ponoshec ku u mbajt promovimi, e që kjo bibliotekë mban emrin Aziz Buxhovi, ish – mësues në këtë shkollë, njëherit babai i romansierit të njohur Jusuf Buxhovi.
Shkolla “Ganimete Terbeshi” në Ponoshec, në shenjë të nderimit të mësuesit veteran, Aziz Buxhovi, që sherbeu në këtë shkollë nga viti 1953-1962, pra disa viteve biblioteka u pagëzua mu për këtë me emrin e tij.
ObserverKult





Lexo edhe:
Bëhet e ditur, këta janë këngëtarët që do të marrin pjesë në festivalin “Akordet e Kosovës”






