Pëllumb Zekthi: Unë dua të qesh me ty, siç s’mundem të qesh me askënd tjetër…

TRI HERË PËR TY, TRE HERË PËR ASKËND…


1.
E mban mend se ç’ndodhte atëherë kur u shkrinë akujt deri në cepin më të largët të rrëfimeve të mia? Çdo dëshirë lëshonte piskama të holla koloraturë dhe donte të konfigurohej si në çastin e zgjimit. Në çdo sipërfaqe të mërzitshme mund të shihje qartë gjurmë hapash që rendnin të gjitha në një drejtim. Në çdo fshat të humbur të kësaj botës sonë, nuk gjeje dot asnjë botë tjetër që të mendonte ndryshe nga Njutoni për puthjet e zjarrta të gravitetit të tij hutaq. Askund s’kishte më tepër biseda dhe aq më pak copëza fjalësh të hedhura pa të keq, andej-këtej historisë së djeshme që kutërbonte nga shkrimet e kundërta me ngjarjet. Unë e mbaj mend drejtimin, por nuk jam i sigurtë nga ç’anë isha kthyer që ta them saktë ku ndodheshim…

2.
A e di se ç’ndodh kur dikush të thërret gjithmonë dhe ti nuk përgjigjesh? Bën gjithmonë freskët në ato çaste, ndërsa ajo sërish thërret e sërish nuk mërzitet e ti zhytesh në vaskën tënde dhe pluskon me gojë kotollumba kujtimesh. Të mbushura me shkumë të verdhë dhe orare të thyera takimesh që fillojnë në fund dhe mbarojnë në fillim. Me buzëqeshje të papritura që ngjajnë si peliçe dhelprash dhe harrim të pandodhur kurrë. Njeriu bindet zakonisht kur është vonë. Ndërsa me minutat e vonesave në takime, ai nuk mbush dot as edhe një gotë të vogël që të bindë veten…

3.
A e mban mend se ç’ndodh në gusht, kur nuk e di askush tjetër? Në kohëra të nxehta bën më ftohtë sesa në kohëra të lavdishme. Mjaft që një kafshë e bukur të mos dalë nga strofulla, dhe plazhi vdes. Siç vdes një qytet kur i mungon një emër, apo një bjonde kur i qethin kokën. Unë dua të tregoj në çdo kohë një përrallë me kaçurrela, por në çastin e fundit, tërhiqem. Sepse gjendem në konflikt të vazhdueshëm me gjatësinë e tyre. Ndaj pres gushtin si një bollë e bardhë ardhjen e pranverës, për të lakuar fjalinë pa folje “unë dua të qesh me ty, siç s’mundem të qesh me askënd tjetër”…/ObserverKult