Për ata që dashurojnë poezinë

(Recension për librin e Fadil Halimit “Ëndrra, shi dhe lule”)

Nga Imer Topanica

“Poezia nuk kërkon ndjekës, kërkon të dashur” – thoshte një herë e një kohë poeti i madh spanjoll, Garcia Lorka (Frederico Garcia Lorca (1898-1936). Me këtë ai na edukonte rreth asaj se si duhet ta trajtojmë poezinë, se si duhet të komunikojmë me të…

1. In medias res

Statusi dominues i teksteve të kësaj përmbledhjeje, mbetet lirika. Zhanri: ai i lirikës së dashurisë. Pra bëhet fjalë për poezi lirike varietetesh të ndryshme, të cilat autori Fadil Halimi i ka mbledhur për gjatë kohë.
Vet titulli “Ëndrra, shi dhe lule”, na e sugjeron një lloj leximi të tillë semantik, duke na paralajmëruar se nëpërmjet ëndrrës, mund ta takojmë shpresën, nëpërmjet shiut, trishtimin, dhe nëpërmjet metaforës së lules, vet dashurinë. Gruaja, atdheu, nëna, babai, motrat, i biri etj., vijnë si trajta simbolikash nëpërmjet të cilave vihet gurthemeli i këtij kodi tematik.
Poezitë risjellin copëza, sekuenca dramash, çaste ekzaltimi, ngazëllimi e pikëllimi, nëpër të cilat ka kaluar shpirti poetik. Në kuptimin e kontekstit kohor, disa vargje u takojnë akteve krijuese shumë të hershme, të artikuluara e të publikuara nëpër revista letrare, këtu e disa dekada. Por ka edhe aso që e gjetën shtegun për te ky libër, sapo u hodhën në letër.
Përtej atdheut dhe dashurisë, si binom tematik dominues, ka edhe vargje pak më të rralla, që dalin përtej. Ato janë mjaft pikante. Herë, herë synojnë të ngarendin drejt vargut më karakteristik, mbështjellë me një tis gati hermetik. Vargjet më emblematike, sipas shijes sonë natyrisht, i takojnë kohës së luftës, ku ende të freskëta gjallojnë dridhmat e shpirtit:

“ Thonë, në luftë
kur fëmijët vriten,
liria është afër”

I tërë libri komunikon me një toponimi të njohur reale, që për mision ka ngritjen e materies gjuhësore në një stad artistik, deri në surreal:

“Kam tepër kohë, e dashur
Si në fëmijërinë e hershme
Kur thurnim ëndrra
Për lulet e para të pranverës
e për lojën fshehurazi
kur binte muzgu

Atëherë shkriheshim në sytë e zi
për një fjalë që rrihte
si valë deti
Në thellësi të shpirtit
Heshtja ndizej zjarr…”

…-dëgjohet zëri i poetit, kësaj radhe duke kënduar një këngë për dashurinë. Si çdo poet tjetër, edhe Halimi provon ta zbulojë “rakursin” e kësaj teme universale, që në këtë përmbledhje, sikundër e thamë më sipër, dominon.

2. Post Script

Kështu, një shumësi formash, motivesh, të ndërthurura me kujdes, nga një ton poetik krejt i ngrohtë, na vjen si dhuratë për të gjithë ata, që Garcia Lorka i klasifikonte si të dashuruarit në poezi.
Halimi nuk është rishtar në këtë zanat. Kjo identifikohet lehtë në përmbledhje. Disa data figurojnë në fund të teksteve poetike na e thonë këtë. Vetë guximi për t’i sistemuar, e për t’i sjellë në formën e një libri krijimet e tij artistike, meriton një çast vëmendje. Jo nga ndjekësit, natyrisht, por nga ata që e duan poezinë./ ObserverKult