Përdorimi i pikës
Shkruan: Eroll Sejdiu
Vihet pikë në datat e plota, pas numrave që shënojnë ditën dhe muajin, por nuk vihet pikë pas numrit që shënon vitin:
09.04.2017
09.IV.2017
Mirëpo, kur muaji shënohet me fjalë, nuk ndahet nga dita dhe nga viti me asnjë shenjë pikësimi:
21 mars 2017
14 tetor 2017
Pika në shkurtimet përdoret:
a) pas shkronjës a shkronjave të para të fjalëve që shënojnë titull, gradë, mjeshtëri:
dr. (doktor), prof. (profesor), inxh. (inxhinier) etj.;
b) pas shkronjës a shkronjave të para të termave të ndryshëm, sidomos termave shkencorë të përdorur në disa fjalorë etj.:
p.sh. (për shembull ), etj. (e të tjera), khs. (krahaso), fr. (frëngjisht), ang. (anglisht ), kap. (kapitull ), mjek. (mjekësi), let. (letërsi).
c) pas shkronjës a shkronjave të para të emrave të njerëzve:
F. S. Noli, H. I. Pedersen, P. I. Çajkovski etj.
Nuk përdoret pika:
a) te shkurtimet e emërtimeve të njësive të matjeve dhe masave:
cm (centimetër), km (kilometër), a (amper), kg (kilogram), t (ton), v (volt) etj.;
b) te simbolet e elementeve kimike:
H (hidrogjen), Mg (magnez), Cl (klor) etj.;
c) te shkronjat që shënojnë pikat e horizontit:
L (lindje), P (perëndim), VP (veriperëndim)
d) tek akronimet:
RK (Republika e Kosovës), RSh (Republika e Shqipërisë), OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara), EKG (elektrokardiogram), FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar), INSTAT (Instituti i Statistikave) etj.;
e) te numrat, për të ndarë mijëshet:
433 777 000 dhe jo 433.777.000
ObserverKult
—————————-
Lexo edhe: