
Nga Silvana Kola-Loka
Janë disa njerëz që na frymëzojnë pa zhurmë dhe pa bujë, madje pa e patur asfare qëllim në vetvete.
Nuk e kam fjalën për heronj a heroina të dala nga gojëdhëna apo histori të vërteta a të trilluara. Nuk e kam fjalën as për personazhe të amplifikuar nga të gjitha llojet e medias, sidomos asaj digjitale.
E kam fjalën për ata njerëz të veshur “pa rroba” që ulërijnë për vëmendje, por që zotërojnë një aurë magnetike rreth vetes që mjafton për të të mbajtur të ngërthyer tek ta.
E kam fjalën për ata njerëz që të flasin me një zë të papërpunuar, pa t’u imponuar me ton të lartë dhe pa dashur të të lënë me gojë hapur e detyra shtëpie për të zbërthyer fjalorin e tyre të fjalëve të stërmëdha.
E kam fjalën për ata njerëz që na shikojnë me shikimin e ndrojtur apo me guxim, por gjithsesi me një shikim tejet njerëzor, që të bën të shikosh deri në thelbin e tjetrit.
E kam fjalën për ata njerëz që, edhe në heshtjen e tyre, thjesht dhe vetëm me praninë e tyre në jetën tonë, na bëjnë të ndjejmë fuqinë e pangatërrueshme të pranisë së njerëzores.
E kam fjalën për kamarierin që të shërben duke vërshëllyer motivin e një këngë dhe të bën të besosh te gëzimi i punës.
E kam fjalën për të panjohurin që të mban derën ndërsa ti del e ngarkuar me çantat e pazarit, i cili të bën të besosh tek mirësjellja pa pritur asgjë në kthim.
E kam fjalën për njeriun që, duke fshirë lotët nga kushedi çfarë dhimbjeje ka në zemër, të buzëqesh lehtë duke të bërë të besosh në forcën e jashtëzakonshme që mbartim me vete për t’u ripërtërirë.
E kam fjalën për Ty dhe për veten, që pa e kuptuar, pa e patur si mision, në momente të caktuara, bëjmë thjesht ‘njeriun e vërtetë’ dhe kështu arrijmë të ndezim brenda mendjes dhe zemrës së një të panjohuri (ose të njohuri, nuk e përjashtoj) frymëzimin për të jetuar si njeri.
Askush nuk u ngop dot me jetën, por një jetë e jetuar me frymëzimin e vazhdueshëm për të jetuar si njeri, është mëse e mjaftueshme.
ObserverKult
Lexo edhe:






