Për britanikët, Banksy është piktori më i pëlqyer i të gjitha kohërave!

Nuk është Rembrandt personi që krijon imazhe me sprej përmes modeleve të prera në fletë, por një sondazh i ri po nga tregon se “arti i lartë” – më shumë se çdo formë tjetër kulturore – nuk po merret vesh nga publiku.

Nga: Jonathan Jones
Përktheu: Telegrafi

Antropologu Marcel Mauss besonte se, në thelb, të dhuruarit është ndërveprim njerëzor. Si dëshmi për këtë mund ta citonte suksesin e Banksyt, sepse Banksy është një hiç nëse nuk dhuron. Asnjëherë nuk e dini se kur do ta bëjë një mural në një garazh në jug të Uellsit ose se kur do ta mbështesë XR-in (Extinction Rebellion – lëvizje sociopolitike që synon mos bindjen civile dhe rezistencën paqësore kundër ndryshimeve klimatike, shkatërrimit të biodiversitetit dhe kolapsit social e ekologjik – v.j.). Dhe, siç ka thënë Mauss, këto dhurata janë reciproke – në këtë rast me një dashuri që tejkalon çdo mirëkuptim. Nuk dua ta them se ai është më i famshëm se Damien Hirst ose se Grayson Perry. Por, sipas një sondazhi të raportuar nga ditorja “Sun”, grafisti sekret “për britanikët tashmë është piktori më i preferuar i të gjitha kohërave… duke mposhtur të mëdhenjtë si Leonardo da Vinci, Vincent van Gogh, Rembrandt dhe Monet”.

Është ky një votim që flet më shumë për ne seç flet për ata artistë të vdekur. Një krahasim më kuptimplotë mes Banksyt dhe p.sh. Van Goghut mund të bëhet pas një shekull apo më vonë, e jo sot kur ai veç është pjesë e historisë. Por, a do t’i rezistojnë kohës veprat e tij, si ato të Van Goghut? Kjo është e vetmja provë e madhështisë në art. Dhe, një Banksy nuk ka gjasa ta arrijë këtë, sepse arti i tij është direkt dhe aktual. Për 100 vite, a do të jetë flamuri i tij britanik që veshi Stormzy në Glastonbury diçka më shumë se një relike e historisë së popit? Duket e pamundur. Por, mund të shikoni veprën e Rembrandtit, portretin e dashnores së tij Hendrickje Stoffels, dhe sytë e saj shpërthejnë në shpirtin tuaj më shumë se 300 vjet pasi artisti dhe modelja vdiqën.

Misteri është se pse duhet të thuhen këto. Ne bëjmë diskriminime gjatë tërë kohën se cila vepër vlen për ne, tash, dhe çfarë përbën një monument të qëndrueshëm të njerëzimit. Me të vërtetë kënaqem me serinë “Stranger Things”, por ju do të qeshni nëse them se Vëllezërit Duffer janë dramaturgë më të mëdhenj se Sofokliu. Megjithatë, nuk është qesharake për të pretenduar se imazhet e sheshta dhe të papërpunuara të Banksyt, që kërkojnë një sekondë për t’i kuptuar, janë vepra më të pasura dhe më të kënaqshme arti se vizatimet shumë delikate të Leonardos.

Ajo çka na tregon ky sondazh është se “arti i lartë” po e largon publikun më shumë se çdo formë tjetër kulturore. Turmat kapen për fjalët e Shekspirit në teatrin “Globe”. Por, muzetë e artit dhe “ekspertët” janë të tmerrshëm në komunikimin e fuqisë njerëzore të artit të madh. Që nga “Antiques Roadshow” (seri në të cilën vlerësuesit e antikiteteve udhëtojnë në pjesë të ndryshme të Britanisë së Madhe – v.j.) e deri te “Sotheby’s” (shtëpi e ankandeve të veprave të artit – v.j.), shumë biseda motivohen nga paraja. Edhe Leonardo tash është njollosur nga çmenduria me paratë, qëkur vepra e tij “Salvator Mundi” arriti në rekord në ankand. E pastaj vjen një artist i cili e shet një pikturë “Sotheby’s”, me prerësen e fshehur brenda kornizës, që e shkatërron punimin para syve të botës së artit. Banksy nuk është Rembrandt, por ju duhet ta doni. /Telegrafi/